Vrasje dhe trafikim narkotikësh; OFL u kërkon katër shtetasve të tregojnë pasurinë
Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar formularin e vetëdeklarimit 4 shtetasve, të cilët rezultojnë me precedent penal për vepra të rënda penale.
Sipas njoftimit të OFL, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetë-deklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
Arian Begaj, banues në Kavajë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
Ermal Lusha, banues në Kavajë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;
Poliksen Muçollari, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me dashje, në lidhje me një krim tjetër”;
Eduart Sallaku, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” në formën e grupit të strukturuar kriminal;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetë-deklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
Fraksion.com