AktualitetTë fundit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron Manjola Kajana në SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëron Manjola Kajana në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK.

Në kushtet e distancimit social, si rezultat i pandemisë COVID-19, është mbajtur gjatë paradites së sotme përmes platformës online, mbledhja e 63-të e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Mbledhja është organizuar si gjithnjë në praninë e të gjithë anëtarëve të Këshillit dhe përfaqësueseve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vëzhguese tё tjerë tё akredituar.

Pasi ka verifikuar plotësimin e të gjitha kushteve dhe kritereve të parashikuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”,  si dhe të Vendimit të KPA-së , datë 10 korrik 2020, për lënien në fuqi të vendimit “Për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Manjola Kajana”, Këshilli ka vendosur unanimisht emërimin si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar (SPAK) Manjola Kajana për një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Me emërimin e saj, SPAK ka aktualisht në strukturën e tij 13 prokurorë nga lista e 15 prokurorëve të zgjedhur nga Këshillin i Lartë i Prokurorisë. Me këtë rast, kryetari Gent Ibrahimi i bëri edhe një herë thirrje organeve të Vetingut për të përshpejtuar afatet për verifikimin e figurës, pasurisë dhe aftësive profesionale për dy prokurorët e mbetur, Anton Martini dhe Elizabeta Imeraj, pjesë e listës së sipërpërmendur.

Ditën e nesërme, e martë 14 korrik 2020, pritet të zhvillohet edhe ceremonia e betimit përpara Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

 

Fraksion.com