Çfarë ndodhi me mua, ditën që nuk vura maskë!
Nga Rudina Xhunga
Në fakt, unë nuk vija maskë. Më ka mbetur prej kohës së videos së BBC, ku Dr. Shunmay Yeung, shpjegonte që përdorimi i saj nuk sillte asgjë plus, përkundrazi:
“Nëse shumë njerëz do të përdorin maska, nuk do të ketë mjaftueshëm për ata që kanë nëvojë vërtet për to, stafi mjekësor dhe të infektuarit me Covid-19.”– thoshte ajo.
Pastaj OBSH-ja ndryshoi qëndrim, por jo unë. Kjo deri javën që shkoi, kur më lajmëruan që shoferi i cili më kishte marrë nga grimi te televizioni ku isha e ftuar, kishte bërë tamponin dhe dalë pozitiv.
Lexuar kjo nuk do të thotë asgjë. Po kur të ndodh ty dhe merr Silva Binon të parën dhe ajo të pyet, a kishe maskë, aty të nis e përmbyset e gjitha.
– Jo nuk kisha.
⁃ Ishe ulur pas.
⁃ Jo, isha ulur para.
⁃ Po kondicioneri ishte hapur?
⁃ Po hapur.
⁃ Fole ti, po ai foli?
⁃ Nuk e mbaj mend. Nuk më kujtohet gjë fare. E kam marrë doktoresha?
⁃ Risk i moderuar, Rudina.
⁃ Ç’d.m.th? Oh sa njerëz marr unë në qafe po e kam marrë. Dhe ndërsa ajo flet, mua më del para lista e njerëzve që kam e dua, të cilët korona i vret nëse ua kam dhënë.
⁃ Sa kohe ka?
⁃ Sot dita e 4-ët, po tani ma thanë.
⁃ Nuk bëhet tamponi sot. Do të presim. Dhe do të kontrollojmë nëse ke simptoma.
Pritja kur mendon se ke marrë koronën është komplet e çmendur. Sidomos kur ke lexuar e shkruar për simptomat e saj mijëra herë. Pritja është plot me simptoma. Frika jote është simptoma më e keqe. Më shumë vret frika nga sëmundja. Pastaj kjo sëmundje ka dhe një të keqe plus. Sëmundjet e tjera, gripi përfshirë, kanë solidaritet në familje. Të shohin me dhembshuri të gjithë dhe të shërbejnë. Po nëse thua që dyshon se ke marrë koronën, është si të thuash ke marrë HIV. Secili ka frikë për ca mund t’i ndodhë dhe fajtori je ti që e solle. Pra kur thotë shefi i OBSH-së që sëmundja kërkon solidaritet mes shtetesh ta harrojë! Solidaritet nuk ka as në shtëpinë tënde.
Përveç vajzës sime të vogël që mendon se nuk e kemi marrë, se ajo do të flasë me unicornin e saj që do të na mbrojë, siç na mbrojti njëherë kur avioni u tund mirë në Bilbao, ne të dy jemi të tmerruar. Marrim në telefon prindërit tanë dhe i pyesim imtësisht për çfarë kanë, çfarë u dhemb dhe sa më shumë se dje u dhemb. Pastaj i kthehemi njëri-tjetrit dhe pyesim ku do ta lëmë vajzën nëse ajo nuk e ka dhe ne e kemi.
Në fakt pyetja pa zë, është ku do ta lëmë vajzën nëse e kemi dhe gjërat shkojnë keq. Dhe ngaqë nuk e bëjmë dot këtë pyetje as pa zë, nxehemi me njëri-tjetrin, me mua d.m.th që jam kaq e papërgjegjshme sa hipi në një makinë televizioni, këto kohë dhe pa maskë. Dhe e vetmja arsye pse mund të shpëtojmë është sërish një anë e keqe imja, që nuk flas, që ul kokën në telefon dhe nuk kthehem fare as majtas as djathtas. Dhe ndoshta, ndoshta kjo do të na shpëtojë.
Ndërkohë ne jemi mbyllur të tre në shtëpi. Në pritje të simptomave, na është kërkuar të izolohemi. Unë vij vërdallë me maskë nëpër shtëpi. Nuk e heq as kur fle. Fle me maskë. Kjo e nxeh më shumë tim shoq që nuk e kupton pse nuk mbaja maskë atë ditë dhe pse isha ulur para. Po pas ishin ulur tre vetë, i them, e debati nis nga fillimi.
Deri ditën që bëmë tamponin unë nuk pata asnjë simptomë, veç dëshirës për të qarë në banjë, (kjo nuk del te simptomat), ndërsa im shoq kishte grykët, temperaturë, dhimbje koke. Ndaj e bëmë tamponin. Në shtëpi erdhën dy zonja.
Një prej frikërave më të mëdha është që nëse nuk e ke mos e merr kur vinë të të bëjnë tamponin, aq shumë na është futur ideja që mjekët e kanë të gjithë. Ata nuk e kanë. Ata janë më të rrezikuarit, më të dëmtuarit në këtë histori të papërgjegjshmish, njëra prej të cilave jam dhe unë.
Vajza ime u ul e para. E pyetën nëse donte të bënte në fillim hundën, apo gojën. Pyeti kush qe më e vështirë që ta niste me të. I bëri të dyja dhe tha që ishte eksperiencë qesharake, qe te gudiliste. Kur erdhi radha ime, nga sikleti teshtiva dhe tmerrova dy zonjat që bënë disa hapa pas dhe pastaj ikën, pa i qerasur, se nuk mundemi thanë. As ujë, në atë vapë korriku.
Zonjat më thanë që rezultati del për 24 orë. Dilte, por tani për shkak të fluksit është zgjatur koha. Unë nuk prita dot as 24 minuta dhe nisa të pyes mjekë të ndryshëm të hetimit në Tiranë, pse zgjat kaq shumë dhe a ka të ngjarë të jetë rezultat fals. Nuk ka asgjë që të heq mendjen kur pret një lajm. Asgjë që ulesh ta bësh me vetëdije dhe të largon vëmendjen. Aq më tepër kur nuk del dot as nga shtëpia.
E vetmja gjë që më lehtësoi ishte një intervistë e Merkel që i ndryshova titullin. Ajo kishte folur për BE-në, po mua më ngacmoi shprehja: “Është e vështirë, por në vend të bëjmë pyetje ekzistenciale, duhet te vazhdojmë me punët e ditës.”
Mund ta kisha lexuar çdo çast tjetër këtë shprehje, po nuk do të më bënte kurrë përshtypjen që më bëri atë ditë. Thjesht ma mblodhi veten. Dhe vazhdova të laj pjatat, pa e hequr maskën. Rezultati doli të nesërmen, në darkë. Më morën në telefon dhe më lajmëruan që ne të tre ishim negativë. “Jeni negativë. Kjo për sot, pastaj është në dorën tuaj. Ruhuni!”, tha zonja që më telefonoi. Ose kështu duhet të ketë thënë se unë dëgjova mirë vetëm negativë, gjithçka tjetër vinte flu.
Sapo dëgjoi gezimin tim, ime bijë ma hoqi maskën dhe e grisi. “Tani do e heqësh, te puthemi, -tha”. Joooo, tani do e heq vetëm në shtëpi.”, i thashë. Dhe e mbajta fjalën. Nuk e vras mendjen për vapën dhe për asnjë vështrim kureshtar.
Unë mbaj maskë. Nuk e përballoj dot rikthimin tek ato tre ditë pritjeje dhe nuk di si do ta përballoj koronën nëse e marr. Nuk e di vërtet. Por e di që maska më mbron, mua dhe njerëzit që dua./dritare.net
Fraksion.com