Raporti i KE-së: Shqipëria progres, rënie e kërkesave për azil në të katërtin vit
Komisioni Europian publikoi sot raportin për vlerësimin e përmbushjes së kërkesave për liberalizimin e vizave nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina.
Raporti arriti në përfundimin se vendet në fjalë vazhdojnë të plotësojnë kërkesat për liberalizimin e vizave, dhe se lëvizja pa viza vazhdon të sjellë përfitime pozitive ekonomike, sociale dhe kulturore për shtetet anëtare të BE-së dhe vendet partnere.
Raporti përqendrohet në detaje në fushat specifike të sigurisë dhe migracionit ku kërkohet veprim i mëtejshëm.
Komisionerja për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson tha se, “liberalizimi i vizave nxit kontaktet mes njerëzve dhe forcon lidhjet midis BE-së dhe qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Me kalimin e viteve, ne kemi parë një përparim të konsiderueshëm nga partnerët”.
Raporti konfirmon se Shqipëria vazhdon të përmbushë kërkesat për liberalizimin e vizave duke theksuar se “progres i mirë kanë qenë arritjet në zbatimin e veprimeve për të trajtuar migrimin e parregullt, përfshirë forcimin e kontrolleve kufitare”.
Në raport evidentohet edhe kërkesa e Holandës për pezullimin e vizave për Shqipërinë duke theksuar “Komisioni konsideroi se rrethanat për të vendosur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk përmbushen”.
Sa i përket fenomenit të azilkërkuesve, në raport theksohet se numri i kërkesave të pabaza për azil ka ardhur në ulje në 4 vitet e fundit, me një rënie prej 5% në 2019.
Gjithashtu, në raport vlerësohen reformat dhe masat e marra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit sikurse ishte miratimi i Aktit Normativ antiKÇK.
“Në janar të vitit 2020, qeveria shqiptare miratoi një paketë legjislative që prezanton masat parandaluese për të forcuar luftën e saj kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke u përqëndruar në veçanti në konfiskimin e pasurive kriminale. Ky ligj parashikon një seri mjetesh të reja hetimore të vëna në dispozicion të Prokurorisë Speciale brenda strukturës speciale të sapokrijuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Shqipëria po ndjek një reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse të drejtësisë, e cila synon forcimin e përpjekjeve të përgjithshme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet ndër të tjera raport.
Kjo reformë, thekson KE, përfshin gjithashtu rivlerësimin e përkohshëm të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i verifikimit), i cili ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke prodhuar rezultate të prekshme.
“Verifikimi ka vazhduar përkundër ndikimit të pandemisë COVID-19. Megjithëse seancat dëgjimore ishin pezulluar përkohësisht për shkak të bllokimit, aktivitetet hetimore për dosjet e verifikimit kanë vazhduar përmes shkëmbimeve të largëta. Seancat e verifikimit të vettingut rifilluan më 3 qershor 2020. Në përgjithësi, 64% e dosjeve të verifikimit të përpunuara deri më tani kanë rezultuar në pushime nga puna ose dorëheqje vullnetare nga vlerësuesi. Procesi i verifikimit dhe rezultatet e tij mbeten thelbësore për të rikthyer besimin e publikut në gjyqësor dhe organet e zbatimit të ligjit”, thuhet në raport.
Fraksion.com