AktualitetPolitikëTë fundit

“PS mbështet hapjen e listave”: Rama: Prioritet nuk është komoditeti im, por …

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Partia Socialiste mbështet një hapje të listave për t’i dhënë mundësi çdo zgjedhësi të zgjedhë subjektin politik dhe të shprehë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë në listën e subjektit”.

Në një komunikim me mediet, Rama foli mbi qëndrimin e PS-së për përmbylljen e procesit të reformës zgjedhore në parlament brenda këtij sesioni të Kuvendit të Shqipërisë.

“Ky është një qëndrim i formësuar tanimë pas një procesi të gjatë dhe të vonuar për hir të së vërtetës për reformën zgjedhore. Arsyet e vonesave i dini dhe ndërkohë në Kuvendin e Shqipërisë ka hyrë në proces sipas gjithë rregullave të procedurës, si pasqyrimi pikë për pikë i marrëveshjes së bërë me opozitën jashtëparlamentare edhe nisma e opozitës parlamentare”, tha Rama.

Rama thase “ne kemi vendosur që të mbështesim hapjen e listave dhe ky është një vendim që reflekton bindjen tanimë se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice apo pakice qeverisëse”.

“Shkon përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe në pamje të parë më komode për një parti të madhe, por edhe për mua personalisht si kryetar i partisë, që në këtë rast duhet t’u jap të gjithëve jo me fjalë, por me faktin e hapjes së listave mesazhin që asnjëherë nuk ka qenë për mua prioritet komoditeti im, por gjithmonë prioritet është që PS të reflektojë shoqërinë dhe të reflektojë interesat dhe ambiciet e shoqërisë”, tha Rama.

 

Fraksion.com