Osmani: “E turpshme” që qeveria nuk miratoi Projektligjin kundër koronavirusit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi “të turpshëm” mosmiratimin nga ana e qeverisë të një projektligji për luftimin e pandemisë së koronavirusit.
Përmes një postimi në Twitter, Osmani tha se një nismë e tillë ligjore do të mundësonte që masat kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, të ishin të ligjshme.
“Vetëm dje kanë vdekur tetë persona për shkak të COVID-19. Megjithatë, Qeveria e Kosovës dhe shumica e partive të koalicionit po e bllokojnë kalimin e një ligji kundër koronavirusit, që do të mundësonte zbatimin e ligjshëm të masave kundër koronavirusit. E turpshme!”, shkroi Osmani në llogarinë e saj në Twitter.
8 people died only yesterday because of #covid19. Yet, the KS Government & most coalition parties are blocking the anti-covid law from passing, which would enable proper & lawful enforcement of anti-covid measures. Disgraceful! pic.twitter.com/G4U8DdRQrF
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniMP) July 10, 2020
Në mbledhjen e së enjtes, Qeveria e Kosovës nuk miratoi një nismë ligjore të dërguar në ekzekutiv nga legjislativi, por tha se çështjet që adresohen aty do të përfshihen në një projektligj të sponsorizuar nga qeveria, që ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë së koronavirusit.
Nisma për miratimin e një ligji për luftimin e pandemisë ka qenë e kryeparlamentares Vjosa Osmani, të cilën ajo e dërgoi në qeveri për opinion.
Legjislacioni i propozuar nga Osmani, që është hartuar në muajin prill, ishte i bazuar në nenin 65, pika 1 e Kushtetutës së Kosovës, që ua lejon deputetëve inicimin e nismave legjislative.
Ky projektligj, që nuk u mbështet nga qeveria, mëtonte që të ndihmonte në zbatimin e kufizimit të të drejtave kushtetuese, vetëm gjatë kohës së përballjes me pandeminë.
Pas rritjes së numrit të rasteve të vdekjeve dhe të të infektuarve me koronavirus, më 6 korrik, në Kosovë hynë në fuqi masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës.
Në masat e reja përfshihet edhe ndalimi i qarkullimit të qytetarëve në komunat që kanë numër të madh të rasteve me COVID-19, si: Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria.
Po ashtu në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, po aplikohet e njëjta masë, ku qytetarët nuk lejohen të lëvizin nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Që prej 13 marsit kur janë paraqitur rastet e para e deri më 9 korrik, në Kosovë janë regjistruar 4,307 raste me koronavirus. Prej tyre, 94 pacientë kanë vdekur dhe 2,095 janë shëruar.
Fraksion.com