AktualitetBota+Të fundit

Gjykata turke i hap rrugë shndërrimit në xhami të Shën Sofisë

Një gjykatë turke anuloi të premten një dekret qeverie të vitit 1934 që e kthente katedralen e Shën Sofisë që ndodhet në Stamboll në një muze, duke i hapur rrugën shndërrimit të saj në xhami, pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare kundër një lëvizje të tillë. Presidenti Tayip Erdogan kishte propozuar rivendosjen e statusit të xhamisë në sitin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-së, një pikë qendrore e perandorive të krishtera bizantine e myslimane osmane dhe aktualisht një nga monumentet më të vizituara në Turqi.

Shtetet e Bashkuara, Greqia dhe udhëheqësit e kishave janë shprehur të shqetësuar mbi ndryshimin e statusit të ndërtesës së madhe që daton shekullin e 6-të, të kthyer në një muze në ditët e para të shtetit laik modern turk, nën udhëheqjen e Mustafa Kemal Ataturkut.

“Është dalë në përfundimin se kontrata ligjore e cakton atë si xhami dhe përdorimi i saj jashtë këtij karakteri është i pamundur nga pikëpamja ligjore”, thanë zyrtarët e gjykatës më të lartë administrative të Turqisë në vendimin e publikuar të premten. “Vendimi i vitit 1934 që i dha fund përdorimit të saj si xhami dhe e përcaktoi atë si një muze, bien në kundërshtim ligjin”, thuhej më tej.

Shoqata që e çoi çështjen në gjykatë, e fundit në një betejë ligjore 16-vjeçare, tha se Shën Sofia ishte pronë e udhëheqësit otoman që pushtoi qytetin në 1453 dhe që e shndëroi kishën tashmë 900-vjeçare bizantine në një xhami.

Osmanët ndërtuan minare përqark katedrales, ndërsa brenda shtuan emra arabë të kalifëve të hershëm myslimanë, krahas ikonave të lashta të krishtera të katedrales.

 

Fraksion.com