Memoriali i Holokaustit në Tiranë; Ambasadorja Kim: Histori frymëzuese e humanizmit dhe besës shqiptare
Ambasadorja SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka marrë pjesë në përurimin e memorialit të parë për holokaustin në Tiranë.
Në fjalën e saj, Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim tha se “nuk mendoj që ka shumë vende dhe shumë popuj në botë që të kenë një memorial të tillë”.
“Pas ngjitjes në pushtet të Hitlerit, shqiptarët shpëtuan qindra hebrenj nga vdekja e sigurt, kur pushtuesit nazistë kërkuan një listë të qytetarëve. Shqiptarët nga gjithë sferat e jetës, myslimanë, të krishterë, të arsimuar, fshatarë, punuan për të shpëtuar miqtë e tyre, hebrenjtë. Punuan për të shpëtuar miqtë e tyre. Është histori frymëzuese e besës shqiptare. Është me të vërtetë një histori frymëzuese e humanizmit, e kurajos dhe e nderit dhe me fjalë të tjera e besës shqiptare”, tha ajo.
“Jam shumë krenare që qeveria e SHBA-së përmes komisionit për ruajtjen e trashëgimisë së Amerikës jashtë vendit dhe punës së palodhur të anëtarëve të tij ka mundësi që të vlerësojë guximin e popullit shqiptar përmes këtij memoriali. Falënderoj qeverinë e Shqipërisë, kryeministrin, kryebashkiakun Veliaj që mundësuan realizimin e këtij projekti. Do doja të falenderoja shqiptarët për këtë shembull të shndritshëm. Por më së shumti do doja të falënderoja popullin shqiptar që na dha një shembull të shndritshëm”, tha ajo.
Më lejoni gjithashtu, tha Kim të vlerësoj pasardhësin tim, John Withers, i cili bëri përpjekje të mëdha për ngritjen e këtij memoriali. Ajo citoi fjalët e tij: “80 vjet më parë, errësira përfshiu botën, por drita shkëlqeu në Shqipëri. Miliona hebrenj, dhe popuj të tjerë u zhdukën. Kudo, përveç në Shqipëri, ku populli shqiptar qëndroi për jetën dhe mbrojti miqtë e tyre. Ky memorial nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por dhe me të ardhmen”.
Fraksion.com