AktualitetBota+Të fundit

Mbi 3 milionë njerëz me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara

Rritja e koronavirusit në Kaliforni detyroi Guvernatorin demokrat Gavin Newsom, të urdhërojë bllokime të pjesshme në rreth një të tretën e 58 qarqeve të shtetit.

Asambleja e këtij shteti, e planifikuar të kthehej nga pushimet e verës javën e ardhshme, është gjithashtu e mbyllur pa afat. Kjo është e papranueshme për disa republikanë.

“Thjesht nuk është një zgjidhje e qëndrueshme mbyllja për një kohë të pacaktuar e degës legjislative të qeverisë. Ka njerëz në të gjithë shtetin që varen nga puna që ne bëjmë, e lidhur drejtpërdrejt me trajtimin e çështjeve të shëndetit publik, me COVID-19tën dhe çështjet që prekin ekonominë dhe jetën e njerëzve”, thotë Kevin Kiley, anëtar republikan i Asamblesë në Kaliforni.

Në Florida, një shtet tjetër i goditur rëndë, Guvernatori republikan Ron DeSantis thotë se ka institucione mjekësore në të gjithë shtetin të gatshëm për të trajtuar fluksin e rasteve të koronavirusit.

“Në Floridan jugore tani keni Qendrën e Kujdesit në Miami. Ju keni një tjetër në Broward që është vetëm për COVID-in. Pastaj keni dy në Palm Beach County që janë vetëm për COVID-in. Pra, ky është një numër mjaft domethënës i shtretërve që duhet të jenë në gjendje të kujdesen për njerëzit që rezultojnë me sëmundjen COVID”, tha Ron DeSantis, Guvernator i Floridas.

Të martën, ligjvënësit demokratë në Florida kritikuan përgjigjen e guvernatorit ndaj pandemisë duke thënë se refuzimi i tij për të lëshuar urdhra në të gjithë vendin për veshjen e maskave dhe mbylljen e plazheve është duke vrarë banorët e Floridas dhe po përhap sëmundjen.

Florida ka patur mesatarisht më shumë se 8’500 raste të reja në ditë të konfirmuara gjatë javës së kaluar, gati tetë herë më shumë se mesatarja e një muaji më parë.

Në Arizona gjithashtu ka një kërkesë rekord për shtretër spitalorë.

“Nuk po shohim ulje të kurbës. Dua të them se duket se çdo ditë ka një nivel të ri rekord të rasteve krejt të reja me COVID-19 në shtetin e Arizonës”, thotë Dr. Matt Heinz, Qendra Mjekësore në Tucson.

Teksasi është bërë një nga shtetet amerikane të goditura më rëndë nga pandemia e koronavirusit. Më shumë se 10’000 raste të reja vetëm të martën … një rekord që nga fillimi i pandemisë.

Por, pavarësisht urdhrave të shtetit, shumë vendas, si spektatorët në rodeo, ende refuzojnë rregulloret e distancimit fizik dhe veshjen e maskave për fytyrën.

”Sepse unë jam amerikan dhe ndjej se duhet të jem në gjendje të bëj atë që dua. Unë paguaj taksat e mia. Do të jetoj i lirë; unë dua të jem i lirë”, thotë një spektator në një rodeo.

”Për shkak se është kundër të drejtave tona kushtetuese; ata nuk duhet të jenë në gjendje të më diktojnë çfarë të vesh”, thotë një spektatore.

Por, një ekspert kryesor amerikan i sëmundjeve infektive paralajmëron se pas festimeve të Ditës së Pavarësisë të fundjavës së kaluar, numri i rasteve të koronavirusit mund të rritet ndjeshëm.

”Jemi në një nga pjesët më të këqija të epidemisë. Ky është fillimi. Do të dyfishohen në dy javët e ardhshme dhe më pas do të dyfishohen përsëri javën pas kësaj”, thotë Dr. Peter Hotez, ekspert i sëmundjeve infektive.

Por, grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë COVID-19 i shikon gjërat ndryshe.

“Po shohim realisht indikacione të hershme për nivelimin e përqindjes së rasteve pozitive në Arizona, Florida dhe Texas. Guvernatorët në secilin prej këtyre shteteve kanë ndërmarrë hapa të fortë për ta rrafshuar kurbën”, tha Mike Pence, Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara.

Komentet e Nënpresidentit Mike Pence vijnë ndërsa Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përgatiten të japin udhëzime të reja për rihapjen e shkollave në vjeshtë.

 

Fraksion.com