AktualitetKosovaTë fundit

Kosova, e shqetësuar nga masat kufizuese për lëvizje në Maqedoninë e V.

Autoritetet e Kosovës kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që gjatë hyrjes në këtë shtet, qytetarët e Kosovës duhet ta kenë testin e koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë i Qeverisë së Kosovës, Armend Zemaj, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë që vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të kërkuar test të COVID-19 për personat që kalojnë kufirin, e vështirëson qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve.

“Përmes ambasadorit të Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Gjergj Dedaj, kam shprehur shqetësimin për këtë veprim të nxituar dhe kam kërkuar që të evitohen barrierat e vlerësimit dhe angazhimit dypalësh të situatës epidemiologjike dhe lëvizjes së lirë”, ka shkruar Zemaj.

Ai, gjithashtu, është shprehur se ka kërkuar nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut “që të adresojë tek organet kompetente nevojën e bashkëpunimit ndërshtetëror me qëllim të tejkalimit të pandemisë dhe koordinimit të përbashkët në luftën kundër virusit korona”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, të mërkurën, ka miratuar një vendim, sipas të cilit shtetasit e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjës, nga dita e enjte, gjatë hyrjes në këtë shtet, duhet të kenë testin negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë. Testi nuk është i nevojshëm për shtetasit e këtyre vendeve, vetëm nëse kalojnë transit nëpër Maqedoninë e Veriut, në një interval prej 5 orësh.

Kjo metodë e testimit përcakton saktë se a ekziston virusi në trup dhe bazohet në analizën e mostrave të strishos në hundë. Aktualisht, kjo formë e testimit bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Prishtinë, por vetëm për ata që kanë simptoma të koronavirusit. Qytetarët pa simptoma nuk mund ta kryejnë këtë testim.

Qytetarët: Do të ketë probleme për të udhëtuar në Maqedoninë e Veriut

Disa qytetarë të Kosovës, vlerësojnë autoritetet e Maqedonisë së Veriut janë sovrane në vendimet e tyre, pavarësisht që kushti për të pasur testin negativ të PCR-së, mund t’u shkaktojë telashe qytetarëve, por edhe bizneseve të Kosovës për të udhëtuar në atë shtet.

Orhan Devaja, qytetarë nga Gjilani, thekson që me vështirësi më të mëdha mund të ballafaqohen bizneset që eksportojnë mallra në Maqedoninë e Veriut.

“Për lëvizjen e njerëzve mbase është në rregull, por do të ketë probleme për qarkullimin e bizneseve, sepse mallrat duhet të qarkullojnë edhe gjatë kësaj periudhe. Unë kam familjarë atje, por nuk e kam të domosdoshme të shkoj atje. Mund edhe të mos shkoj. Por, për ata që janë të sëmurë dhe kanë nevoja të vizitohen atje, janë autoritetet e atjeshme që vendosin. Fundja, e kemi mjekësinë tonë këtu dhe do të bëjmë aq sa mund të bëhet. Në të kundërtën, Zoti na ndihmoftë”, shprehet Devaja.

Naim Berisha nga Prishtina thotë që vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut do ta vështirësojë në masë të madhe shkuarjen e qytetarëve të Kosovës në këtë vend fqinj, sidomos të atyre që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për atje.

“Ky është një veprim shumë i keq, i njëanshëm. Unë mendoj që ne duhet t’i përgjigjemi me reciprocitet, në të njëjtën mënyrë, që as ata (qytetarët e Maqedonisë së Veriut) të mos mund të hyjnë në Kosovë në qoftë se nuk i kanë testet PCR. Në qoftë se mua më kërkohet një test i tillë, unë për qejf nuk do të shkoja kurrë në Maqedoninë e Veriut. E kur ke nevojë familjare ose ndonjë obligim tjetër, atëherë detyrohesh të bësh gjithçka. Te ne nuk bëjnë teste ( me kërkesë të qytetarëve). Kjo është problem dhe mbetesh pa shkuar fare”, thotë Berisha.

Goditje ndaj prodhuesve të Kosovës

E, shqetësimin lidhur me vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e ka shprehur edhe Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve të Kosovës. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë që vendimi është një barrierë shtesë që do ta godasë qarkullimin e mallrave, sidomos nga Kosova në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo i godet prodhuesit e Kosovës, sepse eksporti i produkteve të tyre në Maqedoninë e Veriut do të vështirësohet jashtëzakonisht shumë. Në qoftë se nuk kemi ne shoferë të mauneve që e kanë bërë testin e COVID-19, atëherë nuk do të mund t’i transportojmë produktet. Mendoj që është e palogjikshme, duke marrë parasysh që as Maqedonia e Veriut nuk është duke i testuar në masë të madhe banorët e vet, që të themi se është vend i sigurt. Por, ne nuk kemi marrë asnjë masë ndaj qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Qeveria e Kosovës, seriozisht duhet të mendojë që të ndërmarrë masa reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut”, thekson Panxha.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kanë theksuar se Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës – Lindje, ka nën kontroll mbikëqyrjen e pikave të kalimit të kufirit: Hani i Elezit, Glloboqicë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë. Dy pikat e para të kalimit të kufirit janë me Maqedoninë e Veriut.

Vetëm gjatë datës 8 korrik, në vendkalimin kufitar më të frekuentuar ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në Hanin e Elezit, sipas Policisë së Kosovës, nga Kosova kanë dalë 1.295 vetura, 263 kamionë, 25 autobusë dhe 3.365 persona.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, që nga data 26 qershor e deri më 08 korrik të këtij viti, pra interval ky që nga hapja e kufirit, pa test PCR (dy javë), në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë hyrë 29.495 shtetas të Kosovës. Pra, mesatarisht rreth 2.100 persona në ditë./rel

 

Fraksion.com