AktualitetBota+Të fundit

“Rritja e Kinës”; Seehofer: Rreziqe dhe kërcënime hibride

Ministri i Brendshëm gjerman është i shqetësuar për ndikimin në rritje të Kinës dhe për zhvillimet në Hong Kong. Kina ndjek me forcë interesat e veta dhe paraqet rreziqe hibride, tha Horst Seehofer.

  “Ne e dimë që kinezët janë të interesuar për sektorët e infrastrukturës sona,” theksoi ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”. Kina kryen për shembull veprimtari në fushën e spiunazhit paralelisht me strategjinë e saj të re të Rrugës së Mëndafshit. Taktika e sotme kineze është e ndryshme nga ajo që kemi përjetuar në Luftën e Ftohtë, tha ministri.

Ndihma për të korrur lëvdata

Ministri i Brendshëm gjerman shtoi se kriza e koronës tregon se Kina përbën tashmë “një konkurrencë për sistemin” dhe ndjek me forcë dhe pa skrupuj interesat e saj, me të cilat neve na duhet të përballemi.

Horst Seehofer i shqetësuar për ndikimin në rritje të Kinës si dhe për zhvillimet në Hong Kong

Fillimisht Pekini ndau me botën pak informacione rreth virusit. Kurse tani bën gjithçka të mundshme që “të marrë lëvdata për luftimin e virusit”. Kina dërgon “materiale mbrojtëse në të gjithë botën që bota ta konsiderojë si ndihmëtare”, tha Seehofer.

Pekini shkel me këmbë të drejtat themelore të Hong-Kongut

Ministri i Brendshëm gjerman Seehofer komentoi në intervistë edhe situatën në Hong-Kong. Ai tha se po i ndjek zhvillimet atje “me shumë kujdes”.

Megjithë kritikat në mbarë botën, Kina miratoi javën e kaluar një ligj për mbrojtjen e sigurisë kombëtare në Hong-Kong. Ky ligj është shkelja më e gjerë në autonominë e rajonit administrativ special kinez.

Sipas leximit zyrtar, ligji drejtohet kundër përpjekjeve për “separatizëm” dhe për “minimin e bashkimit kombëtar”. Aktivistët e të drejtave civile e akuzojnë Kinën se me ligjin e ri dëshiron të shtypë çdo formë kundërshtimi.

Si po i përgjigjet BE-ja kursit të Kinës në Hong Kong?

Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister (CDU) i bëri thirrje BE të veprojë më shumë kundër Kinës. Në “Welt am Sonntag” ai u shpreh për një reagim të koordinuar me partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të bërë presion mbi Pekinin.

Nënkryetari i grupit parlamentar të FDP në Bundestag, Alexander Graf Lambsdorff, tha: “Pekini po shkel të drejtat themelore të njerëzve në Hong Kong”.

Kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Wolfgang Ischinger, kërkoi mbi të gjitha unitet në radhët e evropianëve: “Së pari gjëja më e rëndësishme dhe më kryesorja, është që Bashkimi Evropian të përpiqet të zhvillojë një politikë koherente BE-Kinë dhe të flasë me një zë”./dw

 

Fraksion.com