Kroaci: HDZ fiton votimet me maska
Konservatorët fitojnë zgjedhjet e zhvilluara në mes të pandemisë së Coronës në Kroaci. Kabinetin e ri e presin detyra të vështira, sepse vendi varet shumë nga turizmi.
Zgjedhjet u zhvilluan në mes të pandemisë së Coronës. Në votime ishin ftuar të merrnin pjesë rreth 3.8 milionë qytetarë me të drejtë vote. Për shkak të rrezikut nga infeksioni me Corona votuesit duhet të mbanin maska dhe të sillnin me vete lapsat e tyre për të votuar.
Anëtarë të komisioneve të votimeve shkuan gjithashtu në shtëpitë e votueseve për të mbledhur fletëvotimet e rreth 500 vetëve që nuk kishin mundësi të shkonin të votonin në qendrat e votimit. Rreth dhjetë përqind e tyre ishin në vetëizolim për shkak të pandemisë. Personat e infektuar me Corona e kishin të lejuat të lëshonin një autorizim për persona të tretë për të votuar për ta.
Pas dorëheqjes së një sërë ministrash të kabinetit Andrej Plenkoviç organizoi zgjedhje të parakohëshme duke shpresuar se elektorati do ta shpërblente me vota për shkak të rrjedhës relativisht pa probleme të pandemisë në Kroaci, edhe pse numri i infeksioneve me virusin Coronës kohët e fundit ishte rritur përsëri.
Mungesë turistësh
Kabinetin e ri e presin detyra të vështira. Kroacia varet shumë nga turizmi dhe po përballet me një recesion të rëndë për shkak të pandemisë së Coronës. Turizmi gjeneron “në kohë normale” deri në 20 përqind të produktit të brendshëm bruto. Por këtë vit industria e turizmit ka arritur të regjistrojë vetëm 30 përqind të numrit të fjeteve dhe 20 përqind të xhiros së saj krahasuar me vitin 2019, u shpreh Nedo Pinezic, koordinatori i shoqatës së biznesit Glass Poduzetnika (Zëri i Sipërmarrësve).
Ekspertët e ekonomisë kanë frikë se ekonomia e Kroacisë do të tkurret këtë vit me nëntë deri në dymbëdhjetë përqind./dw
Fraksion.com