George Soros: Jam krenar për armiqtë që kam
Nga José Ignacio Torreblanca
Ai është njeriu që bashkon të djathtën ekstreme amerikane me të majtën ekstreme evropiane; që lidh Vladimir Putinin në Rusi me partinë nacionaliste Vox në Spanjë, dhe regjimin kinez me Viktor Orbanin në Hungari.
Xhorxh Soros, investitor dhe filantrop, do të mbushë për pak 90-vjeç, por ai ruan vizionin e ndritshëm, mprehtësinë analitike dhe ironinë që e ka karakterizuar gjithmonë. Disa e akuzojnë atë se dëshiron ta mbushë Evropën me emigrantë myslimanë, në mënyrë që të dobësojë rrënjët e krishtera të kontinentit.
Të tjerët se dëshiron ta shkatërrojë Bashkimin Evropian, për t’i imponuar vlerat neoliberale anglo-saksone. E pyes për aftësinë që ai ka për të nxitur frikëra me përmasa globale. “Unë jam krenar për armiqtë që kam”- përgjigjet ai duke buzëqeshur.
“Puna ime dhe e fondacioneve të mia, ka të bëjë me promovimin dhe forcimin e shoqërive të hapura, dhe mendoj se jemi duke bërë diçka të drejtë”- vijon më tej ai, duke shtuar me ironi se “dobësia jonë, është se tani kemi më pak armiq”.
Kështu ka qenë gjithnjë Soros, një njeri që duke i mbijetuar pushtimit nazist të Hungarisë, mësoi thuajse të gjitha leksionet e jetës, që i dhanë atij mundësinë të ketë një jetë të suksesshme në botën e financave, por edhe atë të filantropisë.
Edhe sot, Soros përfaqëson mishërimin më të dukshëm të idealeve të filozofit austriak Karl Poper. Fondacionet e tij quhen “Shoqëria e Hapur”, për nder të njërit prej mendimtarëve më të mëdhenj jo vetëm të temës së lirisë, por edhe të nevojës për ta mbrojtur pa u lodhur dhe vazhdimisht atë.
Soros vazhdon të flasë me kënaqësi për dy konceptet (reflektivitetin dhe gabueshmërinë), që e kanë diktuar filozofinë e jetës së tij. Në botën e tij, askush nuk zotëron monopolin e të vërtetën, dhe ne duhet ta zbulojmë atë duke vënë në dyshim realitetin, me ndihmën e parimeve dhe vlerave tona.
Unë bisedova me të përmes një video-konference, ai në Nju Jork, unë në Madrid. Jemi takuar personalisht pak më shumë se një dekadë më parë, kur bashkë me Marti Ahtisarin (fitues i Çmimit Nobel për Paqe), Joshka Fisherin, Ema Boninon, Havier Solanën, Diego Hidalgon, Ana Palasion dhe figura të tjera evropiane, ai kryesoi themelimin e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, që i është përkushtuar ndaj ndërtimit të një Evrope konsensuale, e cila të jetë e bashkuar në mbrojtje të vlerave dhe parimeve të saj, dhe zyrën e së cilës në Madrid e drejtoj unë.
Kjo është vetëm një pjesë e vogël e veprimtarisë së tij filantropike, që deri më tani ka rezultuar në dhurimin e 32 miliardë dollarëve për organizatat që promovojnë demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e mendimit dhe të shprehurit, gazetarinë, drejtësinë, refugjatët etj.
Qëllimi i donacionit të tij të parë në vitin 1979, ishte garantimi i bursave të studimit për të rinjtë e Afrikës së Jugut, për t’ju dhënë atyre mundësi të studiojnë dhe kapërcejnë barrierat e Aparteidit. Më vonë, ai mbështeti opozitën gjatë regjimi komunist në Hungari, gjithashtu me një program bursash por edhe me pajisje për të shtypur botime që shpërndaheshin ilegalisht.
Më pas u krijua rrjet global fondacionesh, të cilat kanë qenë kryesisht të pranishme gjatë proceseve të ndryshimeve demokratike dhe transformimeve shoqërore që kanë ndodhur që nga ajo kohë.
Në Spanjë, “efekti Soros” më parë ishte një akuzë e artikuluar kryesisht nga e majta, për shkak të ndikimit të tij në zhvlerësimin e paundit britanik dhe (për pasojë) edhe të pesetës spanjolle. Këto akuza janë ricikluar në Spanjë kohët e fundit, për shkak të aktivizmit të partisë Vox, e cila po përdor mesazhet dhe teknikat e të djathtës ekstreme në SHBA.
Rezultati është një koktej, ku përzihet propaganda në rrjetet sociale; analistët që merren me konspiracione; dhe së fundmi, pamflete me shpifje (si për shembull ‘Sorosi po ndan Spanjën!’), në të cilat ai akuzohet jo vetëm për financim dhe mbështetje të shkëputjes së Katalonjës nga Spanja, por edhe se ka arritur të depërtojë në shoqërinë spanjolle në një pikë të tillë, sa të ketë nën kontroll apo të ndikojë tek figura të tilla të larmishme si Federiko Losantos, Karlos Pixhemont, Gonzalo Boje dhe gazetën “El País”.
Akuza se ka mbështetur dhe financuar ndarjen e Katalonjës nuk është e re, por ajo zbulon shumë për sa i përket funksionit që kanë këto fushata. Një shembull është Hungaria, ku Viktor Orban jo vetëm që inkurajoi urrejtjen ndaj Sorosit (fondacioni i të cilit financoi dikur studimet e tij në Perëndim), duke organizuar një referendum mbi të, por ushtroi presion mbi Universitetin e Evropës Qendrore, të drejtuar nga Majkëll Ignatif, deri në mbylljen e tij.
Në rastin e Spanjës, jo vetëm që s’ka prova që Sorosi të ketë mbështetur ndarjen e Katalonjës nga Spanja, por siç është dëshmuar, ishte Rusia ajo që bashkëpunoi me separatistët katalonjas, dhe në përputhje me fushatat e ngjashme kundër demokracive të tjera, ka ndërhyrë përmes mediave të saj zyrtare, rrjetet sociale, dhe aleatëve të tjerë si Xhulian Asanzh dhe Eduard Snouden.
Synimi i Moskës, ishte të dobësonte pozitën e një anëtari kryesor të BE-së dhe NATO, pikërisht në një kohë kur ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë dhe aneksimi i paligjshëm i Krimesë, ishin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Gjatë bisedës e pyes sërish mbi këtë çështje, dhe ai konfirmon pa mëdyshje se “është plotësisht e gabuar akuza se ne po promovojmë nacionalizmin, kur në realitet, ne po favorizojmë bashkëpunimin ndërkombëtar”.
Synimi përfundimtar i dezinformimit, nuk është dhe aq besimi i njerëzve tek një e vërtetë alternative – e vërteta do jetë gjithmonë e brishtë, dhe lehtësisht e ‘çmontueshme’ – por që përhapja e pretendimeve të tilla, ta bëjë të pamundur që ne të dimë të vërtetën.
Për shkak të kësaj, në vend se të humbim kohë duke refuzuar teoritë e komplotit, ne duhet të këmbëngulim tek faktet. Merrni për shembull, akuzat se Sorosi dëshiron të dobësojë ose shkatërrojë Evropën. Gjatë bisedës sonë, Soros kujton se angazhimi i tij për integrimin evropian, mund të gjurmohet që në lindjen e vetë institucioneve evropiane.
Angazhimi i tij për Evropën vazhdon ende sot. Propozimi i tij i fundit përballë një krize madhore si ajo e Covid-19, pasojat e së cilës e shqetësojnë shumë, është që BE-ja të emetojë “bono të përhershme”, me të cilat të financojë rimëkëmbjen e saj ekonomike.
Nëse armiqtë e Sorosit janë të larmishëm, kjo ndodh për shkak se edhe armiqtë e demokracisë janë të tillë. Kjo shpjegon edhe faktin se përse aktivizmi i tij nuk bën dallime midis ngjyrave apo vendeve me qeveri të djathta apo të majta. Një nga shqetësimet e tij më të mëdha aktuale, ka të bëjë me rolin e teknologjisë digjitale.
Në fjalimet e tij të fundit, ai ka qenë po aq kritik ndaj platformave të mëdha digjitale – të cilat ai i ka akuzuar se funksionojnë si monopole, që shfrytëzojnë të drejtat e përdoruesve për të hyrë në të dhënat e tyre. Madje ai ka kërkuar që Mark Zukerberg të dorëhiqet nga drejtimi i Facebook, pasi kjo kompani po keqpërdoret shumë nga qeveria kineze.
Për Soros “zhvillimi i inteligjencës artificiale, dhe i ashtuquajturi sistemi i kreditit social që po zhvillon Kina, është kërcënimi përfundimtar për shoqërinë e hapur”. E përfundoj bisedën duke provuar ta tundoj Sorosin me një bast:”Cilat janë shanset që Trumpi të rizgjidhet president?”.
“Askush nuk mund të akuzojë Putinin apo Xi Jinping se nuk janë të zgjuar”- përgjigjet ai me ironi. ”Edhe Trump – gjithashtu një diktator potencial – nuk mund të akuzohet pse nuk është i zgjuar. Trump nuk mund të fitojë mandatin e dytë, për shkak të mënyrës se si e keq-menaxhoi situatën e krijuar nga Covid-129, çka shkaktoi shumë vdekje të panevojshme”. Megjithatë, ai paralajmëron:”Mundësia e vetme që ai të fitojë, është duke i vjedhur zgjedhjet, duke shfrytëzuar emergjencën e koronavirusit për të futur në zbatim masa që do t’i dekurajojnë njerëzit të votojnë me postë.
Kjo është shansi i tij i vetëm, dhe ai e pranoi këtë gjë, edhe nëse kjo mund të çojë në falimentimin e shërbimit postar”. Soros bën edhe një paralajmërim të fundit:që ne duhet të mos lejojmë që koronavirusi të jetë goditja përfundimtare ndaj shoqërive tona të hapura, në një kohë kur armiqtë e tyre janë kaq të fortë. / El Mundo, Bota.al
Fraksion.com