AktualitetPolitikëTë fundit

“100 milionë euro subvencione çdo vit”; Basha: Ne do ta nxjerrim fermerin shqiptar nga kriza

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me fermerët në Devoll ku premtoi mbështetje ndaj bujqësisë dhe blegtorisë në qeverinë e ardhshme të PD-së.

Basha tha se subvencionet janë jetike për fermerët. “Nuk i ka shpikur askush tjetër, përveç Bashkimit Europian edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

“Nuk ka rrugë tjetër për bujqësinë për t’u mbështetur përveç subvencioneve. I vetmi kryeministër në botën e civilizuar që nuk e vë ujin në zjarr për fermerët, tash 7 vjet, nuk jep subvencione, është ky që kemi, kryeministri në ikje. E vetmja qeveri që krenohet se jep subvencione për gjysmën e popullit që jeton me tokën, është kjo qeveri”, tha Basha.

Ai theksoi se prioritet absolut për qeverisjen e ardhshme do të jetë mbështetja totale e sektorit të prodhimit rural, bujqësi, blegtori dhe sektorë të tjerë, siç është dhe agropërpunimi.

“Me programin tonë prej 100 milionë euro subvencione çdo vit, ne do të arrijmë jo vetëm ta stabilizojmë gjendjen dhe ta nxjerrim fermerin shqiptar nga kriza, por t’i japim kushte të barabarta konkurrencë në tregun tonë dhe madje t’i eksportojmë. T’i japim impulse eksportit, të prodhimeve tona, pra të arrijmë të eksportojmë, prodhimet e fermerëve shqiptarë. Jo vetëm pra të ndihmojmë fermerin shqiptar për të konkurruar denjësisht në tregun e brendshëm, por, po kështu, do të ndihmojmë që prodhimet tona të eksportohen. Me 50 milionë euro në vit, pjesë e paketës mbështetëse të fermerëve do të bëjmë të mundur që infrastruktura që i mbështet ata, nga rrugët tek vaditja, që më thanë që e kanë problem, tek kullimi, aty ku është problem, tek infrastruktura e tregjeve, sepse edhe ata që e kanë prodhimin nuk e çojnë dot në treg, tek agropërpunimi. Të gjitha këto aspekte të kenë një mbështetje shtetërore. Kjo është më se normale dhe këtë normalitet ua  premtoj sot nga Devolli të gjithë fermerëve të Devollit e mbarë Shqipërisë”, tha ai.

Po ashtu, Basha shtoi se “Ky prioritet do të jetë realitet së shpejti, kur të gjithë të bëhemi bashkë dhe të sjellim një ndryshim me një qeveri që nuk mendon e nuk punon për vete e për një grusht oligarkësh, por për një qeveri që mendon e punon për të gjithë shqiptarët”.

 

Fraksion.com