Kosovë: Rikthehet masa e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është takuar me drejtuesit e institucioneve shëndetësore të Kosovës.
Në këtë takim janë propozuar masat e reja kundër koronavirusit, të cilat pritet të miratohen gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, që do të mbahet më vonë gjatë të dielës.
Hoti tha se në disa qytete që kanë numër të lartë të të infektuarve, do të vendoset orari i ndalimit të qarkullimit të qytetarëve prej orës 21:00 deri në orën 5:00.
Ky orar i ndalimit të qarkullimit, pritet të nisë sonte në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri.
Hoti po ashtu tha se Kosova do të blejë teste të virologjisë dhe mëton që të realizojë 500 testime të tilla brenda ditës. Ai po ashtu tha se do të blihen 7 aparatura për testim.
Ky takim ndërmjet Hotit dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore, vjen në kohën kur në Kosovë, është rritur numri i të infektuarve nga koronavirusi dhe rastet e vdekjeve nga ky virus.
Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit janë regjistruar 557 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi. Vetëm gjatë të shtunës, autoritetet kanë konfirmuar se nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi, kanë vdekur tetë pacientë.
Gjatë të dielës, mediat kanë raportuar se edhe katër pacientë kanë vdekur nga koronavirusi, teksa aktualisht në Kosovë janë 66 raste të konfirmuara të vdekjeve nga ky virus.
Megjithatë, Hoti, nuk konfirmoi vërtetësinë e raportimeve të mediave për vdekjen e pesë pacientëve në QKUK.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë me drejtoreshën e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajvazaj-Berisha, për të konfirmuar këtë lajm, por telefoni i saj nuk ka qenë i qasshëm. As infektologët brenda kësaj Klinike nuk kanë qenë të qasshëm për të dhënë shpjegime lidhur me gjendjen në Klinikën Infektive.
Arbnora Fazliu nga Mitrovica, vajza e një pacienti 70-vjeçar, që ka qenë i infektuar me koronavirus, e që ka vdekur në orët e hershme të së dielës, tha për mediat se dyshon që babait të saj nuk i është dhënë ndihma e duhur mjekësore.
Policia e Kosovës është parë në ambientet e QKUK-së. Megjithatë, as zyrtarët për informim të këtij institucioni nuk e kanë hapur telefonin, që të tregojnë për arsyen se pse ka forca të shtuara policore dhe pse është rrethuar me shirita të policisë Klinika Infektive. Por, më pas këta shirita janë hequr.
Sipas të dhënave të përgjithshme, 3,356 persona janë infektuar me koronavirus. Prej tyre, 1,874 janë shëruar dhe 1,416 persona vazhdojnë të jenë aktivë me koronavirus.
Fraksion.com