Greqia mbyll nesër kufijtë me Serbinë
Greqia mbyll nga nesër në orën gjashtë të mëngjesit, kufijtë me Serbinë.
Lajmin e bëri publik zv-zëdhënësja e qeverisë greke,e cila deklaroi se vendimi u mor mbas shtimit drastik të të prekurve me covid 19.
Masa e pezullimit të përkohshëm do të jetë në fuqi deri në datën 15 korrik, datë në të cilën pritet të vendoset edhe hapja ose jo e kufirit me vendet e tjera fqinje të Greqisë, siç është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas zonjës Peloni, Greqia ruan të drejtën të përshtasë politikat e saj sipas përshkallëzimit të situatës. Në çdo rast ka thënë ajo, Greqia mbetet vend mikpritës dhe tepër i sigurt për turistët që dëshirojnë të kalojnë pushimet në vend.
Po ashtu edhe ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka deklaruar tek agjencia e lajmeve Tanjug se nga nesër në orën gjashtë të mëngjesit Greqia do të mbyllë kufijtë e saj për qytetarët e Serbisë.
“Zyra e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar ambasadën serbe në Athinë se Greqia do të mbyllë kufijtë e saj për qytetarët serbë nga nesër, përveç rasteve të jashtëzakonshme ku do të ketë një leje të veçantë,” ka thënë Ivica Daçiç për agjencinë serbe të lajmeve.
Ministri i Jashtëm serb u bëri thirrje qytetarëve që planifikuan të udhëtojnë në Greqi që ta anulojnë vendimin e tyre për të shmangur më pas vajtjen deri në kufirin e Greqisë me Bullgarinë, në Promahona dhe kthimin e tyre.
Fraksion.com