AktualitetBota+Të fundit

Shqetësim për përhapjen e pandemisë gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë në Uashington

Administrata Trump po planifikon një shfaqje të madhe fishekzjarresh për të shtunën në Uashington, megjithë shqetësimet e qytetit për koronavirusin. Zyrtarët thanë se planet për festimet e 4 korrikut përfshijnë hedhjen e 10,000 fishekzjarreve, që ata thanë se do të jetë shfaqja më e madhe e këtij lloji që mbahet mend në këto vitet e fundit.

Sekretari i Departamentit të Parqeve dhe Pasurive Natyrore, David Berndhardt tha përmes një deklarate se Pentagoni do të organizojë një fluturim të veçantë me avionë luftarakë mbi qiellin e kryeqytetit.

Zyrtarët e Departamentit të Parqeve njoftuan se do të kenë gati 300,000 maska për t’u përdorur nga njerëzit që do të vijnë në parkun qendror të kryeqytetit për festimet. Ata nxisin vizitorët që mund të mblidhen të shtunën në mbrëmje në qendër të Uashingtonit të vënë maska dhe të respektojnë distancimin fizik. Por nuk duket se maskat do të jenë të detyrueshme.

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser i ka kritikuar planet, duke thënë se ato bien në kundërshtim me udhëzimet shëndetësore. Ajo u ka kërkuar banorëve të qytetit të shmangin turmat e mëdha dhe ta festojnë Katër Korrikun pranë shtëpive të tyre.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump kanë ftuar figura politike e miq për aktivitete festive në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.

Shumë qytete amerikane kanë anuluar ose kufizuar aktivitetet publike me rastin e Ditës së Pavarësisë, si rezultat i shqetësimit për përhapjen e pandemisë.

Organizatorët e shfaqjes tradicionale me fishekzjarre në Nju Jork e anuluan aktivitetin qendror dhe po zhvillojnë që nga data 29 qershor shfaqje më të vogla me fishekzjarre në lagje të ndryshme të Nju Jorkut. Të shtunën në mbrëmje do të transmetohet në televizion një montazh me momente nga këto aktivitete.

Amerikanët nuk do të lejohen të festojnë në disa nga plazhet më të famshme të vendit, përfshirë bregun jugor të Floridës, Kaliforninë e jugut dhe bregun jugor të Teksasit.

Në pjesën verilindore të vendit, ku epidemia është vënë nën kontroll javët e fundit, plazhet janë të hapura, por autoritetet po u bëjnë thirrje banorëve të mos mblidhen në turma.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, janë shitur sasi të mëdha fishekzjarresh që tregon se amerikanët kanë bërë plane për të festuar individualisht në oborret e tyre./voa

 

Fraksion.com