“Lini”, transportonin drogë, arrestohen 3 shtetas në Pogradec
Policia bën me dije se ka arrestuar 3 persona në Pogradec, të cilet transportonin lëndë narkotike.
Njoftimi i policisë:
Pogradec
Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Lini”.
Operacioni nga Strukturat e Hetimit të Krimit, Policia Kufitare, Komisariati Pogradec, Policia Rrugore dhe Forcat e Posaçme Operacionale të DVP Korçë, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit e shitjes së narkotikëve.
Transportonin drogë me mjet, arrestohen në flagrancë 3 shtetas, njëri prej të cilëve për të shmangur kapjen nga Policia tentoi të largohej duke u hedhur në liqen.
Sekuestrohet 14 kg e 300 gr, lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Në vijim të punës për evidentimin, parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal në drejtimin e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të strukturave të lartpërmëndura është finalizuar operacioni policor i koduar “Lini”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Angjel Prifti, 42 vjeç, banues në fshatin Qafëzez, Kolonjë (i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”).
- Erando Cota 22 vjeç, banues në Librazhd.
- Esmeralda Hidri 23 vjeçe, lindur në Librazhd e banuese në Durrës.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se disa persona po lëviznin në aksin rrugor Lin-Pogradec, me një mjet tip “Ford”, ku dyshohej se mund të transportonin lëndë narkotike menjëherë u organizua puna dhe në hyrje të Pogradecit u bë konstatimi i këtij mjeti me drejtuese 23-vjeçaren dhe pasagjerë dy shtetasit e tjerë.
Në momentin që Policia iu ka dhënë shenjë të ndalonin, shtetasi A. P., ka tentuar të largohej nga mjeti duke u hedhur në liqen por u kap nga shërbimet dhe u ndalua.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin këta shtetas po udhëtonin, në bagazh, iu gjet një sasi prej 14 kg e 300 gr kanabis si edhe në banesën e shtetasit E. Ç., u gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Fraksion.com