Basha në Pogradec: Plani ynë ekonomik ka në fokus të veçantë biznesin e vogël
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulizm Basha u ndal sot në Pogradec ku zhvilloi një bashkëbisedime me qytetarë dhe sipërmarrës të qytetit.
“Pogradeci, me një potencial të jashtëzakonshëm turizmi, sot po vuan nga kriza e madhe ekonomike që ka përfshirë vendin. Në çdo biznes që isha sot, më treguan se puna ka rënë me të paktën 50%. Punëtorët i kanë larguar pasi nuk kanë me se t’i paguajnë. Taksat vazhdojnë t’i shlyejnë sikur mos të ketë ndodhur asgjë, ndërsa këtë vit edhe pse në kushtet e COVID-19, Bashkia ka rritur taksat dhe tarifat”, bëri të ditur Basha.
Kreu i PD-së, akuzoi Kryeministrin se i braktisi njerëzit në ditët më të vështira, duke i lënë në mëshirë të fatit, siç po bën edhe tani me pandeminë.
“Të infektuarit po shtohen, sikundër dhe personat, që po humbasin jetën, ndërsa qeveria nuk ka asnjë strategji dhe asnjë plan masash për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë që po zhytet në krizë të vazhdueshme”, tha ai.
Më tej, Basha tha se për shkak të nevojës së masave të marra për COVID-19 është rritur kosto e biznesit, ndërsa vuri në dukje ai, qeveria nuk u ka dhënë asnjë mbështetje.
Basha foli edhe për planin ekonomik të opozitës.
“Plani ynë ekonomik ka në fokus të veçantë biznesin e vogël dhe klimën e të bërit biznes në përgjithësi. Ne do të vendosim moratorium 1-vjeçar të inspektoriateve, deri kur të garantojmë standartet europiane përmes një kuadri të ri ligjor bazuar mbi eksperiencat më të mira të Perëndimit. Taksa për biznesin e vogël do të jetë vetëm një: 0.5% e xhiros vjetore dhe të ardhurat do të shkojnë për pushtetin lokal, për të nxitur zhvillimin dhe rritjen e vëmendjes së shtetit në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Taksa për biznesin me të ardhura mbi 140 milionë lekë në vit, do të jetë taksa e sheshtë 9%, ndërkohë që do të heqim “taksën Rama” për karburantin”, tha Basha.
Këto, sipas tij, janë hapat e domosdoshme për të stabilizuar ekonominë dhe nxitur zhvillimin.
“Shqipëria nën qeverisjen e Partisë Demokratike nuk do të punojë për 5 veta, por do të jetë Shqipëria e të gjithëve, që kujdeset dhe mbron interesat e gjithsecilit”, u shpreh kreu i PD-së.
Fraksion.com