Partnerët strategjikë thirrje SHBA-së për vëmendje ndaj Detit të Zi
Diplomatë të lartë nga Ukraina, Gjeorgjia dhe Rumania po u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s të rrisin praninë në rajonin e Detit të Zi për të dekurajuar Moskën nga avancimi i axhendës së saj agresive.
Ambasadorë nga të treja këto vende që kanë kufi detar, shprehën shqetësimet e tyre të enjten në një aktivitet të organizuar nga iniciativa e përuruar rishtazi, “Frontier Europe”, e Institutit të Lindjes së Mesme.
I ndodhur në udhëkryqin e Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, për Detin e Zi është luftuar prej shekuj, vuri në dukje ambasadori ukrainas Volodymyr Yelchenko. Kohët e fundit, Rusia ka zgjeruar praninë e saj përreth kësaj vije detare strategjike, duke kapur direkt ose indirekt territorin nga Gjeorgjia në 2008 dhe nga Ukraina në 2014.
“Ne të vetëm nuk kemi aftësinë t’i rezistojmë Rusisë”, pranoi Yelchenko, vlerësimit të të cilit iu bashkua edhe ambasadori gjeorgjian David Bakradze. Të dy i kërkuan Shteteve të Bashkuara që të rrisë praninë e saj në rajon dhe të forcojë aleatët dhe partnerët e saj.
Një prani më të madhe të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s
Prezenca amerikane dhe e NATO-s në rajonin e Detit të Zi arriti “kulmin” menjëherë pas krizës së Krimesë në vitin 2014, por që atëherë është fashitur, thotë analisti i Fondacionit Heritage, Luke Coffey, në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Në një studim të publikuar më herët këtë vit, zoti Coffey e përshkruan Detin e Zi si një rajon për të cilin “kanë luftuar disa prej perandorive më të mëdha të botës. Gjatë gjithë historisë, ka dëshmuar se është një prej zonave më gjeopolitike dhe me rëndësinë më të madhe ekonomike të rajonit më të gjerë të Euroazisë”.
Energjia dhe transporti detar i mallrave
Tubacionet e naftës dhe gazit, si dhe kabllot e fibrave optike, kalojnë përgjatë tabanit të detit, ndërsa qindra anije përshkojnë sipërfaqen e tij duke zhvendosur çdo ditë njerëz dhe mallra, thotë zoti Coffey, i cili drejton Qendrën “Douglas dhe Sarah Allison” për Politikën e Jashtme, në Fondacionin Heritage.
Për Rusinë, Deti i Zi është gjithashtu edhe porta për në Mesdhe, për në Kanalin e Suezit dhe pika të tjera strategjike që gjenden më tej.
Zoti Coffey kërkon një prani të vazhdueshme të NATO-s në rajon, duke thënë se “çdo ditë të vitit, duhet të ketë të paktën një anije të NATO-s” në Detin e Zi.
Ai pranoi që vendeve të NATO-s aktualisht u mungojnë anijet dhe ndoshta vullneti politik për të ruajtur një prani kaq të fortë, veçanërisht me buxhetet e kufizuara nga pandemia e koronavirusit. “Anijet luftarake sipërfaqësore janë aftësi mbrojtëse shumë e shtrenjtë”, tha ai.
Ai bëri thirrje për “zgjidhje krijuese”, duke shqyrtuar se si mjetet ajrore dhe tokësore mund të shoqërojnë një projektim të forcës detare. Situata duhet të shikohet “në mënyrë të plotë”, tha ai, duke marrë parasysh nivelet e ndryshme të entuziazmit në rajon për çdo aleancë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në NATO.
Rumania, tha Coffey, është anëtari më entuziast i NATO-s mes vendeve që kufizojnë Detin e Zi, ndërsa Turqia ka fuqinë më të madhe detare në rajon pas Rusisë.
Mbështetja e Ankarasë jetësore
Ambasadorët e Gjeorgjisë, Rumanisë dhe Ukrainës ranë dakort se asnjë iniciativë rajonale nuk ka gjasa të sjellë rezultate pa mbështetjen e Ankarasë. “Do të donim ta shihnim Turqinë më të angazhuar”, tha George Maior, ambasadori i Rumanisë në Shtetet e Bashkuara.
Rumania, tha ai, ka punuar me përkushtim dhe në mënyrë të vazhdueshme me Pentagonin për të rritur dhe forcuar praninë ushtarake amerikane, si në tokë ashtu edhe në det.
Disa pjesëmarrës në forum shprehën shpresë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO do t’i kushtojnë të njëjtën vëmendje dhe burime rajonit të Detit të Zi, ashtu siç kanë vepruar për tre shtetet baltike, të gjitha vende anëtare të NATO-s që nga viti 2004.
Ndërsa anëtarësimi në NATO ende duket një perspektivë e largët për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, zoti Coffey tha se kjo nuk duhet të përjashtohet.
“Nëse do t’i pyesnit njerëzit në fillim të viteve 1990 se cila ishte perspektiva e Polonisë, Letonisë për t’u anëtarësuar në NATO, përgjigjja që do të merrnit do të ishte ‘e pamundur’ “, tha ai. Sot të dyja vendet janë jo vetëm vende anëtare të aleancës, por mes mbështetësve më të fortë të kësaj organizate.
“Ne nuk duhet ta lejojmë Rusinë të ketë veton jozyrtare” ndaj Gjeorgjisë dhe Ukrainës, tha ai./voa
Fraksion.com