Uashingtoni mbështet mbylljen e bareve ndërsa përhapet COVID-19
Një këshilltare e lartë e Shtëpisë së Bardhë shprehu mbështetje të mërkurën për mbylljen e bareve në Shteteve të Bashkuara ndërsa vendi po përjeton shtimin e rasteve me koronavirus. Numri i rasteve besohet të jetë rezultat i frekuentimit të bareve nga të rinjtë dhe mosrespektimi i distancimit fizik.
Të paktën 19 nga 50 shtetet amerikane kanë ndaluar hapjen e ekonomive të tyre ndërsa më shumë se 40 mijë raste me COVID-19 janë raportuar gjatë secilës ditë të fundit. Në 37 shtete, numri i rasteve të konfirmuara po rritet, dhe nuk po bie sikurse ka ndodhur në të kaluarën.
Guvernatorët në të paktën gjashtë shtete kanë dhënë urdhër për mbylljen e bareve pas disa javësh që patën lejuar hapjen e tyre. Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo tha të mërkurën se shërbimet brenda restoranteve në qytetin e Nju Jorkut do të shtyhen deri kur të ndryshojë gjendja dhe kjo veprimtari të jetë e sigurtë dhe e kujdesshme.
Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë Kellyane Conway tha gjatë një interviste me kanalin televiziv Fox News se vendimet me të cilat përballen shtetet sot janë një zgjedhje mes mbylljes së bareve tani dhe mundësisë për rihapjen e shkollave në gusht dhe shtator.
“Kam diçka për të thënë: Duhet të kemi përparësi në shtetet amerikane dhe në vendin tonë. A dëshironi të hapni baret tani, apo dëshironi të hapni shkollat dhe kopshtet pas disa javësh?”
Ajo tha se mbështet të dytën.
“Unë votoj për variantin e dytë, jo sepse kam katër fëmijë në moshë shkollore por sepse është thelbësore hapja e shkollave që fëmijët të vazhdojnë rutinën normale dhe mbështetjen strukturore. Mendoj se është një sistem i rëndësishëm për vendin tonë dhe pastaj njerëzit do të jenë në gjendje të rikthehen në punë.”
Shqetësimet e zotit Fauci
Por vendimet për shkollat dhe prindërit me fëmijë të moshave shkollore shpesh nuk janë të lehta. Zyrtarët e shkollave dhe unversiteteve në mbarë vendin po mundohen për të gjetur mënyrat se si dhe nëse duhet të hapin shkollat që u mbyllën në mars si rezultat i koronavirusit. Situata detyroi shkollat dhe mësuesit që të zhvillonin mësime në internet. Vendimet për vitin e ardhëshëm shkollor në Shtetet e Bashkuara janë ende në përpunim e sipër.
Në një distrikt pranë kryeqytetit amerikan, prindërve iu ofrua zgjedhja që fëmijët e tyre të studionin përmes internetit ose të frekuentonin shkollën dy ditë në javë dhe tre ditë në internet. Por pastaj mësuesit hezituan të mbështesin planin për mësime të kufizuara në shkollë.
Dr. Anthony Fauci, specialisti kryesor për sëmundjet ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, u tha ligjvënësve të martën se ai ishte shumë i shqetësuar rreth shtimit të rasteve me koronavirus në vend. Ai drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Ngjitëse dhe dëshmoi para një komisioni të Senatit për shëndetësinë.
“Tani kemi 40 mijë raste të reja në ditë. Nuk do të befasohesha nëse numri shkon në 100 mijë raste në ditë nëse nuk kjo nuk ndryshon. Ndaj jam shumë i shqetësuar.”
Optimizmi nga zoti Pence
Nënpresidenti Mike Pence, i cili kryeson ekipin e Shtëpisë së Bardhë në trajtimin e situatës ndaj koronavirusit, në një bisedë me gazetarët theksoi anën pozitive të situatës aktuale para udhëtimit të tij në Arizona, një prej zonave më të goditura me koronavirus.
“Vdekjet janë në nivelin më të ulët që nga muaji mars. Aktualisht jemi në një gjendje më të mirë se ishim katër muaj më parë, e madje dy muaj më parë.”
Përveç Arizonës, zoti Pence do të vizitojë Teksasin gjatë kësaj jave, një tjetër zonë e goditur rëndë nga koronavirusi.
Gjatë seancës dëgjimore të ditës së martë, ligjvënësi republikan Lamar Alexander theksoi rëndësinë e rihapjes së shkollave dhe i bëri thirrje Presidentit Donald Trump dhe publikut që të përdornin maskat për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Fatëkeqësisht, kjo praktikë e thjeshtë e shpëtimit të jetës është bërë pjesë e një debati politik që thotë se nëse mbështet Trumpin, nuk duhet të përdorësh maska. Nëse je kundër Trumpit, e vë maskën. Prandaj i kam sugjeruar presidentit që herë pas herë të përdorë maskat, edhe pse nuk ka shumë raste kur është e nevojshme që ai të bëjë këtë gjë.”
Zoti Alexander shtoi se Presidenti Trump ka miliona mbështetës që do të ndiqnin këshillat e tij. Sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet rreth kësaj gjatë një konference të martën.
“Presidenti është njeriu më i testuar në Amerikë për COVID-19 dhe kështu që ai nuk ka nevojë të përdorë maskën.”
Shtetet e Bashkuara me më shumë se 127 mijë raste vdekjesh me koronavirus dhe 2,6 miljon raste të konfirmuara infektimesh, është vendi i goditur më rëndë në botë./voa
Fraksion.com