Rezultatet tregojnë përkrahje të madhe për Putinin në votimin për reforma
Rezultatet preliminare tregojnë se në plebishitin jodetyrues në Rusi janë përkrahur amendamentet kushtetuese, që mes tjerash i hapin rrugën presidentit rus, Vladimir Putin të garojë për dy mandate tjera dhe të mbesë në pushtet deri më 2036.
Komisioni Qendror Zgjedhor në Rusi ka thënë se pas numërimit të 98 për qind të votave, rreth 78 për qind e votuesve kanë votuar në të mirë të paketës së miratuar nga Kremlini, që përmban më shumë se 200 amendamente.
Sipas agjencisë së lajmeve, Reuters, 21 për qind e votuesve kanë votuar kundër ndryshimeve.
Dalja zyrtare në votime ka qenë rreth 65 për qind, ka njoftuar Komisioni Zgjedhor.
Procesi i votimit ka zgjatur për më shumë se një javë, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Putin ka shpallur 1 korrikun, ditën e fundit të votimit, si ditë pushimi, me qëllim të nxitjes së personave për të votuar.
Ella Pamfilova, udhëheqëse e Komisionit, ka thënë se votimi ka qenë transparent dhe se zyrtarët kanë bërë gjithçka që të sigurojnë integritet, mirëpo kritikët kanë kundërshtuar rezultatin.
“’Rezultatet’ e publikuara janë gënjeshtra dhe të rreme”, ka thënë politikani opozitar, Aleksei Navalny.
“Ato nuk kanë asgjë të përbashkët me opinionin e qytetarëve të Rusisë”.
Navalny u ka thënë mbështetësve të tij përmes një video-incizimi se “nuk do ta njohë kurrë këtë rezultat”.
Putin ka propozuar ndryshimet kushtetuese më herët gjatë këtij viti dhe ka insistuar në mbajtjen e referendumit, pavarësisht se një gjë e tillë nuk kërkohet me ligj.
Ndryshimi final i këtyre ndryshimeve mundësohet nëse më shumë se gjysma e votuesve mbështesin propozimet.
Nëse miratohen, Putin, ish-zyrtari i KGB-së, 67-vjeçar, mund të garojë edhe për dy mandate tjera si president, pasi t’i përfundojë mandati aktual më 2024.
Putin ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër nga viti 2000./rel
Fraksion.com