Prezantohet korniza negociuese e BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e V.
Komisioni Evropian ka prezantuar të mërkurën kornizën negociuese për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Me këtë kornizë caktohen udhëzimet për procesin negociator, i cili nëse do të ketë pajtim nga të gjitha shtetet anëtare, do të mund të fillojë para fundit të këtij viti.
Gjermania ka paralajmëruar se gjatë kryesimit të saj me Bashkimin Evropian do të propozojë nisjen e negociatave me këto dy shtete, për të dëshmuar përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit dhe Ballkanit Perëndimor.
Një diplomat i lartë gjerman ka thënë se sa i përket arritjes së pajtueshmërisë nga të gjitha shtetet anëtare për një datë të nisjes së negociatave, procesi do të jetë pak më i lehtë në rastin e Maqedonisë së Veriut në krahasim me atë të Shqipërisë.
Duke komentuar vendimin e së mërkurës, Komisionari i BE-së për Fqinjësi, Oliver Verhelyi ka thënë se ky është edhe një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në rrugën e tyre evropiane.
Sipas tij, kjo gjë dëshmon edhe përkushtimin e BE-së ndaj procesit të zgjerimit.
“Pres tash që diskutimet me shtetet anëtare të nisin sa më shpejt, sikurse konferenca e parë ndërqeveritare me dy shtetet kandidate. E ardhmja e tyre është qartë në Bashkimin Evropian dhe unë jam i bindur se ato do të vazhdojnë të kenë sukses në reforma në rrugën e tyre evropiane, ashtu siç kanë bërë edhe deri me tash” ka thënë komisionari Verhelyi.
Komisioni Evropian, i cili edhe e ka hartuar kornizën negociatore, ka rikujtuar se negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të zhvillohen sipas metodologjisë së re të zgjerimit.
Fraksion.com