Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i akordon “Certifikatën e Karrierës” Avni Jashallarit, me rastin e daljes në pension
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu i akordon “Certifikatën e Karrierës” Avni Jashallarit, me rastin e daljes në pension.
Gjatë një ceremonie të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me pjesëmarrjen e një numri të kufizuar të drejtuesve të Policisë, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Drejtor Veliu i ka dorëzuar Avni Jashallarit “Certifikatën e Karrierës”, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Në fjalën e tij Veliu ka vlerësuar kontributin e vyer të Jashallarit gjatë 43 viteve që ai ka qenë pjesë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit, duke mbajtur detyra të ndryshme.
“Dua ta nis fjalën time me një thënie të Michelangelos, i cili ka thënë se rrojmë me punë dhe jo me vite. Çdo fillim ka një fund, kur nisesh drejt një rruge sigurisht që ajo rrugë ka një pikë fundore e lum kush ecën drejt në rrugën e punës dhe arrin me nder pikën fundore, duke u kthyer në motiv e frymëzim për brezat në Polici. I tillë është miku ynë Avni Jashallari, i cili ka shërbyer me ndershmëri e përkushtim plot 43 vite në strukturat e Policisë së Shtetit, duke kryer me nder çdo detyrë që i është ngarkuar e besuar. Sot Avniu mbyll karrierën e tij në Policinë e Shtetit zyrtarisht, por jam i bindur se për aq kohë sa do frymojë e jetojë Avniu do jetë përkrah Policisë së Shtetit. Për kontributin e dhënë gjatë 43 viteve në shërbim të Policisë së Shtetit, vendosa t’i akordoj “Certifikatën e Karrierës”. Ta gëzosh certifikatën dhe pensionin. Ju falënderoj për gjithë kontributin tuaj dhe Ju uroj edhe në emër të organizatës së Policisë, vite të bardha më tej”, – u shpreh Veliu.
Avni Jashallari ka falënderuar Drejtor Veliun për vlerësimin e kontributit të tij, duke i akorduar certifikatë, kolegët me të cilët ka punuar, për mbështetjen e bashkëpunimin dhe shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij në vazhdim, qoftë edhe duke dhënë këshilla, për t’i ardhur në ndihmë Policisë për përmbushjen e detyrave të saj.
Fraksion.com