Biberaj: Jam plotësisht i përkushtuar ndaj misionit të Zërit të Amerikës
Të nderuar kolegë,
E vlerësoj thellësisht mundësinë e pashembullt që më dha kreu i Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Michael Pack për të drejtuar në këtë periudhë kalimtare si Drejtor në Detyrë, Zërin e Amerikës, një institucion që e dua me gjithë zemër dhe të cilit i kam shërbyer për afro 40 vjet, pothuajse gjatë gjithë karrierës sime.
Unë u rrita duke dëgjuar Zërin e Amerikës dhe ashtu si shumë prej atyre për të cilët ne transmetojmë në gjithë botën, e fillova rrugëtimin tim si refugjat. Në vitin 1968, familja ime, që ishte arratisur për t’i shpëtuar shtypjes komuniste në Shqipëri, imigroi në Shtetet e Bashkuara, vendi i lirisë dhe i mundësive, ku unë pata fatin të merrja doktoraturën në shkenca politike në Universitetin “Columbia”. Mirënjohja ime për realizimin dhe përjetimin e ëndrrës amerikane është pa kufi dhe jam thellësisht i nderuar t’i shërbej misionit të Zërit të Amerikës mes profesionistësh që i respektoj jashtë mase.
Gjatë gjithë karrierës sime të gjatë në Zërin e Amerikës dhe udhëtimeve në gjithë botën, kam parë ndikimin e madh që kemi duke bërë një gazetari me vlerë të jashtëzakonshme, në mbështetje të lirisë dhe demokracisë; duke u bërë një rreze shprese; duke ndihmuar njerëzit nën regjime diktatoriale dhe autoritare, që të mos humbnin frymën e pavarësisë dhe të arrinin aspiratat e tyre demokratike; dhe duke shërbyer si një fanar dhe mishërim i standardit të së vërtetës dhe vlerave themelore amerikane.
Ndërsa marr detyrën për të drejtuar përkohësisht si gazetarët, edhe personelin teknik dhe administrativ jashtëzakonisht të talentuar, do të bëj maksimumin të nderoj Kartën dhe Misionin e Zërit të Amerikës dhe t’u përmbahem standardeve më të larta të gazetarisë dhe etikës. Cilido që ka punuar me mua e di që unë jam plotësisht i përkushtuar ndaj misionit të Zërit të Amerikës për të shërbyer si një burim i besueshëm lajmesh dhe informacioni të besueshëm, për të pasqyruar një gamë të balancuar dhe gjithëpërfshirëse të mendimit dhe instituconeve amerikane dhe për të paraqitur politikat e Shteteve të Bashkuara me qartësi dhe efektivitet. Misioni ynë është sot më i rëndësishëm se kurrë, dhe askush nuk mund të përçojë historinë frymëzuese të Amerikës, perspektivat amerikane dhe të shërbejë si model i lirsë së shtypit, si Zëri i Amerikës. Karta e Zëri të Amerikës parashikon pavarësi në mbulimin e lajmeve. Unë do të bëj të gjitha përpjekjet që Karta të respektohet, pa u cenuar nga ndërhyrje politike, ashtu siç presin audiencat tona.
Të gjithë kolegëve brenda dhe jashtë vendit, që punojnë me aq përkushtim për të respektuar dhe çuar më tej misionin e jashtëzakonshëm të Zërit të Amerikës: Ju falenderoj që kam nderin të punoj me ju për të vazhduar traditën e Zërit të Amerikës që nga viti 1942, për një gazetari që i shërben me besnikëri idealeve amerikane të lirisë dhe demokracisë. Tranzicionet gjithmonë sjellin një shkallë ankthi dhe nervozizmi, por ju lutem të jeni të sigurt se unë do të bëj gjithçka për të siguruar që Zëri i Amerikës të vazhdojë të kryejë rolin e tij të rëndësishëm, ashtu siç kemi bërë për shumë vjet. Unë do ta bëj një gjë të tillë me besimin më të madh se Zëri i Amerikës dhe punjësit e tij të zotë dhe të përkushtuar janë në lartësinë e duhur në çdo drejtim sot dhe gjithmonë./voa
Fraksion.com