AktualitetTë fundit

Shtimi i infektimeve me COVID-19; Manastirliu: 90% e rasteve izolohen brenda 48 orëve, spitalet me kapacitete të shtuara

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se “me hapjen e vendit ne e prisnim një rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19. Mund të them se situata është në monitorim në çdo moment. Kemi indikatorë pozitivë në këtë rritje. 90% e rasteve izolohen brenda 48 orëve”.

Në një intervistë televizive, Manastirliu theksoi se “kemi patur një rritje të shifrave dhe vijojmë të kemi një hetim epidemiologjik në të gjithë territorin në mënyrë që të kufizojmë COVID-19. Situata është dinamike dhe presim të kemi qëndrueshmëri”.

“Në një epidemi çdo moment është serioz, është virus i paparashikueshëm. Nuk mund të themi që epidemia ka nisur tani në Shqipëri, sepse epidemia nisi që kur ishte rasti i parë, por epidemia ka fazat e saj. Ne jemi në javën e 6 të hapjes totale. Që kur filluan masat lehtësuese nga izolimi i shpejtë, ne kemi hapur çdo gjë, por nuk janë ruajtur distancat sociale. Ne mendonim që do të kishim një rritje të të prekurve, prandaj vendosëm hapjen graduale e masa të rrepta për ato aktivitete ku rreziku ishte më i lartë. Në maj patëm shumë pak raste”, – tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se po bëhet një punë heroike nga mjekët e infermierët, të cilët janë të pajisur me të gjitha materialet e mbrojtjes personale dhe aparaturat që pacientët të marrin shërbimin. “Janë të disponueshme të gjithë terapitë mjekësore, ato që ekzistojnë në botë janë edhe në Shqipëri. Nuk kemi mungesa. Ato që kanë kërkuar mjekët në protokollet e trajtimit ne ua kemi siguruar”, – u shpreh Manastirliu.

Ajo informoi se në Spitalin Infektiv aktualisht janë dy persona të intubuar dhe 12 me terapi oksigjeni.

Duke iu përgjigjur akuzave, Manastirliu theksoi se epidemia po përballet me strategji të mirëpërcaktuar.

“Po të mos kishim ne një strategji, situata nuk do të përballohej me sukses. Ne kishim strategji për dyfishimin e kapaciteteve në spitale. Tani po rrisim sërish kapacitetet. Brenda kësaj jave vijnë edhe 90 respiratorë të tjerë”, – tha Manastirliu.

Sipas saj, në të gjitha spitalet e vendit po respektohen të gjitha rregullat strikte dhe rigoroze për të parandaluar COVID-19.

Duke folur për strategjinë që ka ndjekur qeveria, Manastirliu foli për testet serologjike ku tha se brenda kësaj jave do mblidhet komiteti i ekspertëve për të vendosur se kur do të bëhen këto teste në popullatë.

“Ne kemi ndjekur një strategji të suksesshme. Kemi bërë testet serologjike tek mjekët. Këtë javë do mblidhet Komiteti i Ekspertëve ku do të vendoset se kur do të fillojnë testet serologjike në popullatë”, – tha Manastirliu.

 

Fraksion.com