AktualitetPolitikëTë fundit

Basha nga Shëngjini: Asnjë mbështetje për operatorët turistikë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar sot në Shëngjin një takim me operatorëve turistikë dhe biznese.

Në prononcimin e tij, Basha shprehet se “pamja e natyrës është e mrekullueshme në Shëngjin, ndërsa përsa i përket gjendjes ekonomike nga fjalët e operatorëve turistik është e rëndë. Sot gjendja në plazhe është e zbrazur, ndërsa e djeshmja e dhe e pardjeshmja ka patur një farë frymëmarrje për shkak të fluksit të turistëve nga Kosova, por përndryshe java është e sheshtë. As 10% e dhomave të hoteleve nuk janë të zëna dhe pjesa dërrmuese e hoteleve dhe e restoranteve po punojnë me 30-40% të kapacitetit që do të thotë se 60-70% e punonjësve që në kohë normale do ishin duke punuar, sot janë të papunë.”

Sipas tij, qeveria kujtohet vetëm për gjoba dhe për taksat ndërsa për pjesën tjetër zero ndihmë.

Po ashtu, Basha tha se nuk ka asnjë mbështetje për operatorët turistikë, ndërsa situata është krejt tjetër në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriu dhe në Greqi.

“Shqipëria mbetet i vetmi vend që nuk u krijon kushte operatorëve turistikë, por u thotë shkoni në bankë merrni kredi, paguani të punësuarit që për këdo që merret me biznes e di që është një hap para falimentimit”, tha ai.

Basha thekson se “është e domosdoshme të kemi një ndryshim të thellë përsa i përket përqasjes ndaj ekonomisë në tërësi dhe turizmit në veçanti. Për turizmin PD ofron planin e saj ekonomik në mbështetje të shumanshme”.

 

Fraksion.com