AktualitetBota+Të fundit

Rusi, mbi 627 mijë raste me COVID-19

Numri i të diagnostikuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) deri më tani në Rusi ka shkuar në 627.646, ndërsa bilanci i viktimave ka arritur në 8.969.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve të Koronavirusit njoftoi se në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 6.852 raste të reja me virusin dhe 188 të vdekur.

Numri i të shëruarve ka arritur në 393.352, me 9.200 të shëruar në 24 orët e fundit.

Në Moskë janë regjistruar 750 raste të reja, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 219.354, ndërsa numri i të vdekurve në kryeqytetin rus ka mbërritur në 3.714, me 20 viktima të reja.

Nga ana tjetër, Shërbimi i Shëndetit Publik dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit bëri të ditur se deri më tani në Rusi janë kryer mbi 18,7 milionë teste, përfshirë 305 mijë teste brenda 24 orëve të fundit.

Kryetarja e Agjencisë Federale Ruse të Turizmit (Rosturizm), Zarina Doguzova, bëri të ditur se nga 1 korriku, në 67 rajone të Rusisë në të cilat u zbatuan kufizime në kuadër të masave kundër COVID-19, do të hapet sezoni i turizmit.

Rasti i parë me COVID-19 në Rusi u zbulua më 31 janar, ndërsa vdekja e parë u regjistrua më 19 mars. Autoritetet filluan të zbatojnë masat parandaluese nga fundi i muajit mars.

Në rajonet më pak të goditura, autoritetet kanë lehtësuar masat, por e kanë bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave dhe dorezave në vendet e mbyllura dhe të frekuentuara.

Nga 9 qershori, në Moskë u hoq kufizimi i lëvizjes që kishte hyrë në fuqi më 30 mars.

 

Fraksion.com