Nxori në pritë Hekuran Billën; 26-vjeçarja tregon njohjen me biznesmenin; Policia i merr në mbrojtje familjen
Policia e Tiranës ka marrë në mbrojtje familjen e 26-vjeçares Adjola Lakra, e cila u arrestua pas dyshimeve se ka bashkëpunuar me vrasësit për të nxjerrë në pritë Hekuran Billën, mbrëmjen e 11 qershorit në Komunën e Parisit. Policia i druhet ndonjë konflikti që mund të lindë me familjarët e saj, pas arrestimit të 26-vjeçares.
Ajo ka treguar se me Billën është njohur nëpërmjet Instagramit, të cilin ai e hapi vetëm 2 ditë pasi doli nga burgu me emrin Daja OTR. Pasi u bënë miq në këtë rrjet social dhe shkëmbyen disa mesazhe, u takuan. Vajza ka treguar se me Hekuranin nuk kishte një lidhje të vazhdueshme, por frekuentoheshin herë pas here, kur Hekurani vinte në kryeqytet. Edhe mbrëmjen e 11 qershorit e kishin lënë për t’u takuar në zonën e Komunës së Parisit.
Për të vërtetuar përfshirjen e Adjola Lakrës në këtë ngjarje hetuesit janë ndihmuar nga dëshmitë e mikeshave të 26-vjeçares, të cilat faktojnë njohjen e saj me Billën dhe nga dëshmia e një punonjësi të një biznesi që jep makina me qira, i cili ka thënë se ka parë 26-vjeçaren së bashku me Sebastian Malin disa ditë pas krimit.
Vajza ka treguar për policinë se nuk ka pasur asnjë dijeni për planin e vrasjes dhe kur mësoi se Hekuran Billa ishte vrarë kishte mbyllur çdo rrjet social dhe kishte ndërruar numrin e telefonit. Pas arrestimit të mikut të saj, Sebastiano Mali, ajo ishte zhvendosur nga Tirana në Berat, ku jetonte në banesën e një shoqeje, aty ku edhe u arrestua.
Fraksion.com