Lagje e re në Fushë Krujë; Rama: Bërthama urbane të jashtëzakonshme për komunitetin
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fushë Krujë, në kantierin e madh të Rindërtimit, ku do të ngrihet nga themelet një lagje e re me vila e godina banimi kolektive.
Rama tha se “lagjja e re është konceptuar me shkollë, kopësht, çerdhe, qendër shëndetësore e hapësira publike të standardeve më të larta komunitare, projektuar nën udhëheqjen e arkitektes së famshme hollandeze Francine Houben, si një qytezë e të ardhmes”.
Kryeministri u shpreh se “ky është projekti i bërë nga Francine Houben një nga arkitektët më të famshëm të Holandës dhe një nga studiot më me reputacion në Holandë dhe në Europë”.
“Të gjitha këto janë bërthama urbane të jashtëzakonshme për nga pikëpamja e kualitetit dhe e ofertës për komunitetin. Plus që krijojnë një gravitet të ri edhe për zhvillimin rreth e rrotull me gjithë këtë kaos të trashëguar. Fillojnë e krijojnë një hulli disipline dhe zhvillimi të qëndrueshëm, krejt tjetër. Do të jetë e pamundur pas kësaj që të vazhdojë historia siç ka qenë më parë”, tha Rama.
Kryeministri tha se janë realisht zona që krijojnë kthesa historike nga pikëpamja urbanistike dhe që u japin hapësirave të goditura mundësinë që të ripërtërihen dhe kalojnë në një stad tjetër”.
“Gjithçka që do t’u ofrohet atyre që u preken është shumë e shumë herë më cilësore e dinjitoze se ato ajo që kishin”, tha Rama.
Ndërkohë lidhur me tregun e qytetit, Rama kërkoi që të hartohet një projekt i veçantë për të që t’i bashkëngjitet kësaj lagjeje, sepse i shton shumë kapacitetet nga pikëpamja komunitare, por edhe nga pikëpamja ekonomike”.
“Transformimi i kushteve sjell një nivel aksesi e xhiroje për të gjithë, edhe për ata që ofrojnë dhe ata që shërbehen”, tha ai.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u shpreh se “në këtë lagje të re do të ndërtohen 100 apartamente dhe 128 vila model, njësi individuale sipas modelit të Entit Kombëtar të Banesave”.
“Janë rreth 1100 banorë që do të strehohen këtu. Siç e shikoni ka filluar puna për infrastrukturën, këto janë ditët e para të fillimit të punës për pjesën e infrastrukturës. Zona e ndërtimit është 103 mijë metra katrorë”, tha Ahmetaj.
Ai tha se “kur u vendos si zonë fillimisht u konceptua edhe si një vazhdim natyral i qytetit me aksesin në rrugë e shërbime, por me atë projekt kjo kthehet në qendër më vete dhe ka për të qenë shumë tërheqëse edhe për pjesën tjetër të qytetit për ta frekuentuar edhe për aktivitete të tjera”.
Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi u shpreh se “kjo është e gjitha tokë shtetërore dhe nuk kemi pasur nevojë për proces shpronësimi, pasi është zonë brenda unazës së qytetit në anën lindore”.
“Të gjitha janë studiuar në mënyrën më optimale, siç është qendra e Thumanës, Bubqi por edhe Kruja që integrohet drejt qytetit. Kjo vjen shumë natyralisht si zhvillim i qytetit dhe i bashkëngjitet në anën veriore të Krujës”, tha ai.