“Koha për armëpushim global”; Kryetar i OSBE-së, Rama: Bashkëpunim për një Europë më stabël e të sigurt
Kryetari i radhës së OSBE-së, Kryeministri Edi Rama, u ndal sot te disa prej fushave ku OSBE duhet të reflektojë, siç janë situata e krijuar nga COVID-19, konflikti në Ukrainë, kërcënimi nga terrorizmi dhe çështja e kontrollit të armëve.
Në mbledhjen online të Konferencës Vjetore të Sigurisë 2020, Rama tha se “u bënë tashmë 6 muaj të Kryesisë shqiptare të OSBE-së ku kemi arritur të kalojmë përmes kufizimesh e ndërlikimesh të COVID-19, për të mbajtur gjallë diskutimet në Vjenë dhe për të vijuar me aktivitetet e operacioneve në terren”.
“Kemi pasur disa arritje të përbashkëta përfshi edhe një rritje mjaft të nevojshme në buxhetin e Misionit të Posaçëm të Monitorimit në Ukrainë, por këto këto arritje nuk duhet të na ushqejnë me shpresë të rreme. Nuk është se gjithçka shkon mirë me OSBE-në. Të gjithë kremtojnë Helsinkin, Parisin si dhe korpusin e gjerë të angazhimeve të OSBE-së si sukses i veprimit shumëpalësh. Këto janë themelet sistemit ndërkombëtar prej të cilit varemi. Megjithatë këto themele goditen. Bashkëpunimi ynë po dështon për shkak të mungesës së besimit dhe ky besim mungon për shkak të të çarave me dialogun tonë dhe për shkak të shpërfilljes së qartë të përsëritur të parimeve e angazhimeve tona”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, “po prek themelet e sigurisë së përbashkët të organizatës sonë, sepse pa respektuar atë çka kemi ndërmarrë së bashku e pa një angazhim të mirëfilltë për të bashkëbiseduar nuk mund të shpresojmë e jo më të presim që të nxitet një Europë më stabël dhe e sigurt”.
“Është shumë e qartë për mua dhe të gjithë ju që kemi nevojë për ndryshim, tani. Megjithatë shoh një mungesë vullneti mes nesh, shteteve anëtare, për të reflektuar seriozisht dhe për të pranuar përgjegjësitë për situatën aktuale të sigurisë. Shoh hezitim për përdorimin e ndikimit apo të imagjinatës për të sjellë ndryshim dhe për të ushqyer një bashkëpunim më të ngushtë. Në të kundërt, për fat të keq po vijon një kulturë ku shpeshherë kritikojmë aksionet e njëri-tjetrit, ku në fakt këmbejmë deklarata e statistika. Duhet që të bëjmë përpjekje të mirëfillta për të filluar të mendojmë ndryshe. Le të mos lëmë thjesht këndvështrimin tonë në kontekstin aktual që sugjeron titulli i konferencës, por le të jemi më kurajoz, le të diskutojmë hapur për mënyrën si mund të punojmë drejt përmirësimit të gjërave dhe si mund të ndërtojmë më shumë stabilitet përmes dialogut dhe se si mund ta drejtojmë OSBE-në drejt rrugës për t’u mëkëmbur”, tha Rama.
Në raport me COVID-19, Rama tha se “kriza na ka goditur të gjithëve fort. Do të doja të thoja që na ka kujtuar dobësitë tona pavarësisht pozicioneve, situatave, kapaciteteve tona të fuqisë të pushtetit. Ne mundemi dhe duhet të reflektojmë për efektet e sigurisë si organizatë, por kjo nuk duhet të shndërrohet si diçka që të shpërqendrojë vëmendjen tonë nga angazhimet ekzistuese”.
Së dyti, Kryeministri u ndal në konfliktin në Ukrainë, që po vijon të marrë jetë të pafajshme dhe që po përkeqëson vështirësitë e popullsisë civile, duke dëmtuar sidomos gratë dhe fëmijët.
“Unë i bëj jehonë thirrjes urgjente të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim global. Është koha tashmë të tërhiqemi nga armiqësitë, të lëmë mënjanë mosbesimin dhe grindjet. Na duhet të veprojmë në frymën e solidaritetit. Duhet të të kujtojmë së pari, mbi të gjitha se jemi qenie njerëzore, që kemi njerëzimin të përbashkët”, tha Rama.
Ai kujtoi vizitën e parë si kryetar i radhës në Ukrainë, në muajin shkurt, ku pa personalisht punën që kishte bërë OSBE në terren. “Aso kohe isha vërtetë optimist duke pasur parasysh progresin e bërë, përfshi edhe takimin e dhjetorit të Normandi 4 në Paris. Në fakt kam vijuar që të jem optimist, por jam i shqetësuar për mungesën e përmirësimit. E kemi thënë sërish e sërish, na duhet të shohim respektim të plotë të parimeve e udhëzimeve të OSBE-së dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve të Minskut. Në mbështetje të kësaj duhet të rigjallërohen diskutime të besueshme e thelbësore në formatin e grupit Trepalësh të Kontaktit”, tha Rama.
Këto, sipas tij, “duhet të ndërtohen mbi ato praktika që deri më tash kanë lejuar këtë grup Trepalësh të Kontaktit të ecë përpara pavarësisht vështirësive”.
“I bëj thirrje palëve të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre duke u mbështetur te OSBE si ndërmjetësuese. Vëmendja duhet të përqendrohet te zbatimi në kohë i angazhimeve që janë ndërmarrë. Një armëpushim i plotë e gjithëpërfshirës është thelbësor. Na duhet që t’u japim fund viktimave dhe vështirësive të papranueshme civile në mënyrë që të rimarrim ritmin e të ecim përpara drejt një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Rama.
Kryeministri Rama përmendi rritjen e buxhetit dhe heqjen e mandatit të Misionit të Posaçëm të Monitorimit si një arritje të rëndësishme të kryesisë shqiptare deri më tani”.
Por sipas tij, “puna e misionit është e penguar seriozisht. Misioni i posaçëm i Monitorimit duhet të ketë qasje të sigurt e të mbrojtur në mbarë Ukrainën në përputhje me mandatin e vetë. Kufizimet shtesë që u janë vendosur lëvizjeve të tilla për shkak të pandemisë duhet të hiqen. Misioni duhet të bëjë punën e vetë duhet ti jepet respekti që meriton. Kjo do të sigurojë që personeli i përkushtuar i misionit të vijojë të përmbushë sigurinë për personat e prekur. Si të gjithë ju, unë sinqerisht shpresoj të shoh përparim të mëtejshëm në Ukrainë muajt që vijnë, ndaj u bëj thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë nga afër të angazhohen konstruktivisht për ta bërë të mundur këtë”.
Megjithatë, Rama tha se “ky nuk është i vetmi konflikt dhe e vetmja krizë në rajonin tonë”. “Ka vende të tjera ku Kryesia kërkon të shohë urgjentisht progres. Në fakt bashkëkryesuesit e grupit të OSBE-së të Minskut vijojnë të kryesojmë përpjekjet e OSBE-së për një zgjidhje paqësore të konfliktit në Karabak. OSBE ka mbështetur gjithashtu edhe diskutimet ndërkombëtare të Gjenevës për të ulur përshkallëzimin e tensionit dhe për të siguruar dialog. Menaxhimi dhe zgjidhja e konflikteve na kërkon që të mos humbasim kurrë nga sytë pasojat njerëzore të konfliktit, zhvendosjen, izolimin, humbjen e jetëve njerëzore. Në procesin e zgjidhjes Transdienstrian ka pasur edhe angazhim të vazhdueshëm nga palët për të ecur pëprpara dhe për të arritur rezultate. Kjo na tregon se vullneti politik dhe ndërmjetësimi efektiv, gjetja e interesave dhe përfitimeve të përbashkëta mund të identifikojnë e të zbatojnë zgjidhje të konflikteve tona në rajon”, tha Rama.
Rama tha se “duhet të forcojmë instrumentet që OSBE ka në dispozicion për të parandaluar konfliktet dhe për të ndalur këto tmerre që po ndodhin”.
“Pikë së pari kjo përfshin forcimin e sigurisë së kufijve, forcimin e të drejtave të njeriut, lirive themelore, mirëqeverisjes, institucioneve, sundimit të ligjit dhe rritje të qasjes në drejtësi”, tha Rama.
Ai theksoi se “ky vit shënon 20-vjetorin e miratimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325. E çfarë mënyre më të mirë ka për ta kremtuar sesa duke dyfishuar përpjekjet tona për të nxitur një mjedis më besues për pjesëmarrjen kuptimplotë të grave”.
Fusha e tretë që dua të reflektojmë, tha Rama, “janë kërcënimet transnacionale, terrorizmi dhe krimi i organizuar”. Rama tha se “kjo ka marrë më shumë jetë dhe i ka kushtuar ekonomive tona më shumë se konfliktet”.
“Ato mbjellin paqëndrueshmëri, gërryejnë besimin publik tek institucionet. Në fakt kjo është arsyeja përse kryesia jonë e ka vendosur në krye të axhendës së kësaj konference. OSBE ka që në 2016 që nuk ka ndërmarrë angazhim të ri kundër terrorizmit dhe është e vështirë ta justifikosh pse. Sepse kërcënimi nuk është zbehur dhe Kombet e Bashkuara kanë rënë dakord për rezoluta të reja gjatë kësaj kohe. Krimi i organizuar është një tjetër fushë ku Shqipëria kërkon të vendosim fokus të shtuar. Flasim për kërcënimet transnacionale. Nuk mundet të përballemi me krimin në një zonë apo vetëm në një fushë të vetme, por duhet që të shohim të gjithë ciklin nga parandalimi tek hetimi, drejtësia penale, rehabilitimi. Nuk duhet të harrojmë që krimi i organizuar mbetet kryesisht i motivuar nga fitimet financiare. Pra duhet në mënyrë të bashkërenduar të ndjekim përfitimet, të ardhurat nga aktivitetet kriminale duke i sekuestruar dhe konfiskuar asetet kriminale”, shtoi Rama.
Rama foli edhe mbi kontrollin e armëve që është mjet thelbësor për paqen e sigurinë. “Kjo kërkon besim, pa këtë duket sikur gjërat po dështojnë përpara syve tanë. Inkurajoj shtetet anëtare të mbështesin masat që promovojnë kontrollin efektiv të shkatërrimit të tepricave të armëve të lehta”, tha Rama.
Ai theksoi se “konsensusi në këtë organizatë është i pakët, por nuk do të jetë më i lehtë të arrijmë në konsensus nëse thjesht ankohemi”
Fraksion.com