AktualitetRajoniTë fundit

Partia e presidentit serb Vuçiç, fituese e zgjedhjeve në Serbi; Shqiptarët e Luginës së Preshevës arrijnë rezultat historik

Në Serbi, sipas rezultateve paraprake, Partia Përparimtare e udhëhequr nga presidenti Aleksandër Vuçiç, shënoi fitore të thellë në zgjedhjet e së dielës, që janë të parat në Evropë që nga mbylljet e shkaktuara nga koronavirusi tre muaj më parë.

Komisioni i Zgjedhjeve tha se sipas rezultateve paraprake kjo parti ka fituar 63,35 për qind të votave. Në vendin e dytë është Partia Socialiste e Serbisë, me 10.67 për qind të votave. Ndërsa në vendin e tretë Aleanca Patriotike serbe e një ish lojtari të vaterpolos, Aleksandër Shapiç, i cili mori rreth 4 për qind të votave.

Presidenti serb shpalli fitoren e tij duke theksuar se ishte “jashtëzakonisht bindëse”.

Të dhënat ende të paplota flasin për një pjesëmarrje më të ultë të votuesve sesa në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2016.

Një pjesë e partive opozitare bojkotoi zgjedhjet duke vlerësuar se ato nuk mund të jenë të lira apo të drejta si rezultat i kontrollit të fortë të presidentit Aleksandër Vuçiç mbi median. Pas shpalljes së rezultateve paraprake ata thanë se presidenti Vuçiç e shkatërroi jetën politike në Serbi.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Evropian me seli në Beograd, Sllobodan Zeçeviç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters që “nëse marrim parasysh numrin e votave (te fituara nga partia e Vuçiçit) … ne po shkojmë drejt sistemit të Koresë së Veriut apo Kinës”.

Por, presidenti serb tha se “sonte kemi fituar besimin e madh të qytetarëve, më i madhi ndonjëherë në Serbi, në kushte kur pak besuan, dhe ne kemi marrë një paralajmërim të madh nga njerëzit se duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm dhe të arrijmë rezultatet më të mira të mundshme”, tha ai, duke shprehu bindjen se përqindja e fitores do të jetë më e lartë pas numërimit të votave të hedhura në Kosovë, ku është votuar në komunat me shumicë serbe.

Që nga përfundimi i luftës, autoritetet në Kosovë kanë lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë dhe edhe kësaj radhe misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë grumbulloi votat për t’i dërguar në Serbi për numërim.

Votimet e serbëve të Kosovës nxitën debatet e zakonshme në raste të tilla ndërmjet pushtetit që thekson se kjo është një praktikë e zbatuar edhe në të kaluarën dhe një pjese të opozitës e cila thotë se mbajtja e zgjedhjeve serbe ishte shkelje mbi sovranitetin e Kosovës, të cilin Serbia nuk e njeh.

Udhëheqësit e të dyja vendeve pritet të takohen të shtunën e javës tjetër në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet e paqes, Richard Grenell, ndërsa gjatë korrikut priten raunde të reja bisedimesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në përpjekje për të arritur një marrëveshje normalizimi që është kusht për proceset integruese për të dyja palët.

Analistët thonë se qeveria e re serbe do të përballet me trysninë në rritje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për të njohur pavarësinë e Kosovës, gjë që shihet si thelbësore për qëndrueshmërinë rajonale.

Në zgjedhjet e se dielës për herë të parë pesë parti shqiptare nga Lugina e Preshevës, morën pjesë në një listë të përbashkët.

Sipas rezultateve paraprake Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar, fitoi rreth 1 për qind të votave dhe shpreson të ketë të paktën 3 vende në parlamentin serb. /VOA

 

Fraksion.com