AktualitetBota+Të fundit

Corona në thertore; Prapë izolim në Gjermani?

Bëhet fjalë për vatrën më të madhe të infektimit në landin gjerman, Renani-Veriore Vestfali. Punëtorët e thertores më të madhe në Gjermani, Tönnies janë testuar pozivitisht me virusin. Një rajon kërcënohet nga mbyllja.

Kryeministri i landit Renani-Veriore Vestfali, Armin Laschet paralajmëron me urgjencë. Ende mund të lokalizohet zhvillimi i infektimeve në qarkun Gütersloh, tha ai në Dyseldorf. Nëse kjo gjendje ndryshon, atëherë kryeministri nuk e përjashton një izolim të gjerë në rajon.

Politikani i CDU-së shikon një problem të madh në përhapjen e gjerë të vendbanimeve të punëtorëve të thertores, Tönnies. Sipas tij punëtorët jetojnë në disa qytete, jo vetëm në Gütersloh, por edhe Ham, Soest, Bielefeld etj. Në Ham u mbyllën 3 shkolla deri në pushimet e verës, pasi tre fëmijë të punëtorëve të Tonnies rezultuan pozitivë me virusin.

Teste masive, Bundesvehri ndihmon

Sipas Laschet është ngritur edhe një shtab krize. Ministrja e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer ka premtuar ndihmën e ushtarëve të Bundesvehrit në këtë zonë. Nga rreth 7000 punonjës, 3500 janë testuar, dhe më shumë se 1000 prej tyre janë të infektuar.  Kryeministri Laschet apeloi tek të gjithë njerëzit në rajon të respektojnë distancën dhe rregullat e higjienës. « Secili duhet të japë kontribut, edhe ai që nuk punon në industrinë e mishit », tha ai.

Një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Berlin tha, se tani fokusi është përqëndruar tek ndërprerja e shpejtë e zinxhirëve të infektimit. Një rregullore e re parashikon që të bëhen teste masive të paguara nga siguracioni shëndetësor. Virusi Corona ka shpërthyer disa herë në thertoret në Gjermani. Ky zhvillim tregon kushtet problematike të punës dhe banimit të punëtorëve të industrisë së mishit, shumë prej tyre janë punëtorë të huaj, sipas politikës dhe ekspertëve.

 

Fraksion.com