Rishfaqen vatra infeksioni me koronavirus në Azi, Evropë e Zelandë
Shtimi i ndjeshëm i rasteve të reja me koronavirus në disa pjesë të botës, ku deri tani dukej sikur ishte vënë nën kontroll, ka krijuar shqetësime dhe ka rizgjuar debatin për lehtësimin e masave të izolimit. Shkencëtarët po analizojnë AND-në e virusit në personat e infektuar rishtazi për të zbuluar nëse këto vatra infeksioni u krijuan nga persona të ardhur nga vende të tjera, ose nëse ka përhapje nga të infektuar që nuk shfaqin simptoma:
Pasi grafiku i përhapjes së koronavirusit në Kinë u stabilizua dhe nuk po shfaqeshin raste të reja për një periudhë, tani infeksioni po rishfaqet. Virusi u shfaq në një treg të peshkut në Pekin, duke rizgjuar shqetësimet se infeksioni mund të ketë ardhur nga peshku i importuar. Por autoritetet e doganës thonë se analizët e peshkut të importuar kanë rezultuar vazhdimisht negative për virusin.
Ekspertët thonë se rishfaqja ishte e pritshme sapo filluan të zbuten masat e izolimit:
“Muaj më parë, kur filloi pandemia, e pata thënë se Kina ia dha virusin botës dhe se kur Kina vetë ta zhdukte infeksionin, bota do t’ia kthente përsëri virusin Kinës, thjesht sepse nëse nuk bllokon plotësisht udhëtimet, do të kesh hyrje të udhëtarëve të infektuar,” thotë epidemiologu Keith Neil.
Autoritetet në Pekin po intensifikojnë masat për të ndalur përhapjen. Kina ka ndalur të gjithë të huajt të futen në territorin e saj. Fluturimet në dy aeroportet e kryeqytetit janë përgjysmuar. Po ashtu nuk lejohet hyrja për të gjithë ata që kanë rezultuar më parë pozitivë, ose që kanë temperaturë dhe dyshohet se janë të infektuar. Edhe këto masa nuk garantojnë një ndalim të plotë të përhapjes, thotë Dr. Keith Neil.
“Megjithëse këtu vazhdojnë masa të forta karantine, asgjë nuk është perfekte deri në momentin kur i izolon plotësisht njerëzit,” thotë Dr. Neil.
Disa nga ekspertët kanë diskutuar mundësinë se ADN-ja e virusit të sapo-shfaqur në Pekin mund ta lidhë këtë infeksion me vatrat e sëmundjes në Evropë:
“Qendra Kineze për Kontrollin e Sëmundjeve e ka konfirmuar se karakteristikat e organizmit në Pekin këtë radhë janë të ndryshme nga atë të virusit të disa muajve më parë, që tregon se organizmi ka kaluar mutacione,” thotë ekspertja Sian Griffiths i Universitetit Kinez të Hong Kongut.
Ekspertët e shëndetit publik mendojnë se qytete të tjera të populluara do të kanë edhe më të vështirë të parandalojnë një rishfaqje të epidemisë, pasi e kanë të pamundur të vendosin masa po aq të forta izolimi sa autoritetet kineze.
Në Evropë, Gjermania ka regjistruar shim të rasteve, pasi 730 punonjës të një fabrike për përpunimin e mishit rezultuan pozitivë për koronavirusin.
Ndërkaq, Zelanda e Re, e cila kishte njoftuar se nuk kishte më raste aktive me koronavirus tani ka deklaruar se dy gra që kishin ardhur nga Londra për t’u takuar me një të afërm që po vdiste, kanë rezultuar pozitive.
Fraksion.com