AktualitetPolitikëTë fundit

“Reflektim dhe përgjegjshmëri”; Meta: Të hënë do takohem me kryenegociatorin Mazi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se shpreson që të ketë reflektim të shpejtë sa i përket reformës zgjedhore dhe të ecet drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

I pyetur për marrëveshjen për reformën zgjedhore, në një konferencë për shtyp, Meta tha se, “qëndrimet i kam bërë të qarta prej kohësh dhe nuk dëshiroj të paragjykoj se çfarë do të bëjë njëra palë dhe çfarë do të bëjë tjetra”.

“Unë uroj që palët t’i qëndrojnë marrëveshjes që kanë nënshkruar, e cila padyshim që mund të lërë mjaft për të dëshiruar në përmbajtjen e saj. Por ne e dimë që jemi në një situatë kritike  të një mosbesimi të thellë dhe të problemeve serioze të legjitimitetit të institucioneve, në radhë të parë të vetë Kuvendit të Shqipërisë, por është koha për të kuptuar seriozisht të gjitha ato shqetësime që vijnë nga partnerët tanë europianë, të cilët kanë bërë përpjekjet më të mëdha për ta lënë derën të hapur për Shqipërinë. Por në rast se dera do të mbyllet, besoj se të gjithë shqiptarët do ta kenë të qartë se kush e ka përgjegjësinë për këtë çështje”, tha ai.

“Por unë shpresoj që të ketë reflektim të shpejtë dhe të ecim drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sepse nuk mjafton vetëm reforma ka dhe shumë elementë të tjerë. Dhe është e sigurt që zgjedhjet e ardhshme do të jenë në një monitorim tepër, tepër të rreptë nga faktori ndërkombëtar. Nuk është thjesht një çështje formaliteti, por është dhe e verifikimit në praktikë sesi zhvillohen zgjedhjet, sesa të drejta janë, sesa të ndershme janë, sesa e barabartë është vota e qytetarëve shqiptarë dhe sesi plotësohet ky krye kriter i kritereve të Kopenhagenit”, tha Meta.

I pyetur për bashkëpunimin me kryenegociatorin për negociatat me BE, Zef Mazi, Meta tha se, “ditën e hënë do të kem një takim e z. Mazi, ish-ambasadorin në OSBE, të emëruar nga qeveria si kryenegociator. Me të kemi një bashkëpunim prej gati 3 dekadash. Dhe do të diskutojmë lidhur me këto sfida. Dhe padyshim që përmbushja e 15 kushteve i jep kuptim të plotë edhe dëshirës dhe vullnetit të tij për të shkrirë të gjitha aftësitë profesionale në shërbim të këtij procesi madhor të integrimit europian për të gjithë vendin”.

Ai tha se “kushtet duhet të përmbushen në mënyrë që vendi të ketë një mundësi reale në një të ardhme të shpejtë të hedhë një hap pozitiv të rëndësishëm përpara”.

Përndryshe, theksoi ai, “me metodologjinë e re të miratuar nga BE, pas insistimit të Francës, rrezikojmë që jo të mbetemi në vend, por të kthehemi pas në drejtim të procesit të integrimit europian. Gjë që do të ishte një dënim i pamerituar për të gjithë popullin shqiptar”.

“Kështu që shpresoj të ketë reflektim dhe përgjegjshmëri dhe të ecet sa më shpejt  në këtë drejtim”, tha Meta.

I pyetur për mbledhjen që po zhvillon sot Komisioni i Venecias për opinionin për Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri, Presidenti Meta tha se “asnjëherë nuk kam pritur verdiktin e Venecias për aktet që kam kryer si President, sepse gjithmonë kam respektuar Kushtetutën dhe Kushtetuta është bërë sipas vetë rekomandimeve të Venecias. Nuk pres të dëgjoj konkluzionet e Venecias për të qenë i ndërgjegjshëm për aktet e mia. Shpresoj që Venecia të ruajë integritetin e saj”.

Meta gjithashtu u shpreh sot se ka dekretuar shpalljen e ligjit “Për miratimin e aktit normativ, “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Meta ka dekretuar me shpallje Ligjin  “Për miratimin e huamarrjes prej Fondit Monetar Ndërkombëtar që i akordon Shqipërisë nëpërmjet instrumentit të financimit të shpejtë (RFI)”.

Meta ka dekretuar me shpallje ligjin “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”.

Meta gjithashtu ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të Ligjit “Për tregjet e kapitalit”.

Meta gjithashtu ka lëshuar Autorizimin për plotfuqinë për negocimin e draft Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, Për Programet e Zhvillimit të Turizmit dhe Infrastrukturës në Shqipëri.

 

Fraksion.com