AktualitetBota+Të fundit

Numri i të zhvendosurve me forcë në mbarë botën thyen rekord

Gjenevë – Agjensia e OKB-së për Refugjatët raporton se më shumë se nëntë milionë njerëz ishin të shpërngulur rishtazi nga persekutimi dhe konflikti gjatë vitit 2019, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shpërngulurve me forcë në të gjithë botën në një shifër rekord prej 79.5 milionë njerëzish. Kjo shifër e paprecedent paraqitet në raportin vjetor të agjensisë, të quajtur “Global Trends”, i cili u botua përpara ditës botërore të refugjatëve, më 20 qershor.

Më shumë se një përqind e njerëzimit ose një në çdo 97 persona në tokë tani është i shpërngulur.

Agjensia e OKB-së për refugjatët e konsideron këtë një çështje shqetësimi të madh. Ajo vëren se shumica e afro 80 milionë të shpërngulurve, janë zhvendosur brenda vendeve të tyre, ndërsa 29.6 milionë janë refugjatë, të cilët kanë kërkuar azil në vendet e tjera.

Megjithë perceptimin zakonisht të kundërt, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, thotë se shumica e refugjatëve nuk kërkojnë azil në vendet më të pasura, por ikin në vendet fqinje. Ai thotë se 85 përqind janë duke u strehuar në vende me zhvillim të dobët.

Shefi i UNHCR-së thotë se vetëm pesë vende gjenerojnë 68 përqind të refugjatëve në botë.

Siria, Venezuela, Afganistani, Sudani i Jugut dhe Mianmari. Ju e dini se çfarë do të thotë kjo. Nëse krizat në këto vende do të zgjidheshin, 68 përqind e të zhvendosurve me forcë në rang global me siguri do të ishin drejt gjetjes së një zgjidhjeje“, tha ai.

Zoti Grandi thotë se konfliktet në Republikën Demokratike të Kongos, rajonin Sahel të Afrikës, Jemenin dhe Sirinë kanë shkaktuar shumicën e nëntë milionë të zhvendosurve rishtazi vitin e kaluar. Ai thotë se është veçanërisht i shqetësuar për rënien dramatike të numrit të refugjatëve që janë në gjendje të kthehen në atdhe ose të gjejnë vende të tjera ku të rivendosen.

Në vitet 1990, ai vëren se mesatarisht 1.5 milion refugjatë ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi çdo vit. Ky numër, thotë ai, tani ka rënë në më pak se 400’000 në vit.

Kjo, natyrisht, është një shenjë e vazhdimësisë së konflikteve, shfaqjes së konflikteve të reja, pamundësisë, paralizës së bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë institucione si Këshilli i Sigurimit për të trajtuar këto konflikte, për t’u dhënë fund dhe për të krijuar kushte që refugjatët dhe njerëzit e zhvendosur të kthehen në shtëpi“, tha ai.

Raporti vëren se numri i refugjatëve të zhvendosur në vendet e treta ka rënë në 107’000 vitin e kaluar nga 163’000 në vitin 2016. Shifrat e rivendosjes në Shtetet e Bashkuara kanë rënë në mënyrë dramatike. Kanadaja tani ka zënë vendin e Shteteve të Bashkuara si vendi më i madh pritës.

Informacioni në raportin “Global Trends” nuk përfshin ndikimin e mundshëm të pandemisë COVID-19 tek kërkesat për azil. Por Komisioneri i Lartë Grandi vëren se 164 vende kanë mbyllur plotësisht ose pjesërisht kufijtë e tyre për shkak të pandemisë. Ai thotë se kjo ka penguar njerëzit të kalojnë kufijtë në kërkim të mbrojtjes ndërkombëtare.

 

Fraksion.com