SHBA-Kinë, takim pas dyerve të mbyllura
Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo zhvilloi në Hawaii 6 orë bisedime pas dyerve të mbyllura me shefin e diplomacisë së Kinës, Yang Jiechi.
Megjithëse asnjëra palë nuk zbuloi natyrën e saktë të diskutimeve, media shtetërore kineze i përshkroi bisedimet si “konstruktive”, ndërsa një zëdhënës i zotit Pompeo tha se kryediplomatit kinez iu theksua nevoja për “ marrëdhënie plotësisht reciproke” midis Uashingtonit dhe Pekinit.
Lidhjet midis dy ekonomive më të mëdha të botës kanë rënë në pikën e tyre më të ulët prej dekadash për çështje të shumta, përfshirë tregtinë, masat shtrënguese të Pekinit në Hong Kongun autonom, praninë kineze në rritje në Detin e Kinës së Jugut dhe origjinën e koronavirusit, që u zbulua për herë të parë në Kinën qendrore në fund të dhjetorit.
Ndërsa zhvillohej takimi Pompeo-Yang, Presidenti Donald Trump nënshkroi ligjin që vendos sanksione ndaj zyrtarëve kinezë për shkak të burgosjes masive të 1 milion myslimanëve etnikë ujgurë dhe pakicave të tjera myslimane në provincën e Sinkiangut.
Fraksion.com