AktualitetTë fundit

Brataj: Nuk ka rikthim në karantinë, por nuk duhet ulur vigjilenca

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj u bëri thirrje sot qytetarëve që mos ta ulin vigjilencën por të zbatojnë rregullat kryesore pasi COVID-19 është i rrezikshëm dhe nuk duhet ta nënvlerësojnë”.

I ftuar në një studio televizive, Brataj tha se “nuk mendohet që të bëjmë karantinë në këto momente”.

“As që bëhet fjalë. Karantinë do të vendosim nëse numri i pacientëve arrin aq shumë në spital sa tejkalohen kapacitetet, por nuk mendojmë se do të arrijmë deri aty. Pra nëse numri kalon 400 të shtruar në spital atëherë mund të kthehemi në karantinë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Brataj tha se “niveli i infektimit të virusit nuk ka ndryshuar, por ka ndryshuar disi forma e shfaqjes”.

“Nuk mund të themi se ka ulur virulencën apo jemi të mbrojtur. Ka përhapje të njëjtë, por ka numër më të vogël pacientëve që shkojnë në terapi intensive dhe numër më të vogël të të shtruarve në spitale. Sot kemi 55 të shtruar në spital. Nuk është e njëjta gjë si në fillim, por gjithsesi niveli i vdekshmërisë është më i lartë nga gripi i zakonshëm”, tha Brataj.

Ai theksoi se “virusi është i rrezikshëm dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë, por duhet të bashkëjetojmë me të duke respektuar rregullat e higjienën”.

Brataj tha se “situata që shohim sot është rezultat i lirimit të masave gjatë muajit maj, ndërsa efektin e hapjes më të madhe që ndodhi në fillim të qershorit ne do ta shohim në fillim të korrikut”.

Sipas tij, “të gjithë personat që kanë humbur jetën në Shqipëri janë me sëmundje bashkëshoqëruese, kardiakët, diabetikët, pulmonarët”.

Duke folur për karakteristikat e COVID-19, Brataj tha se “kohëzgjatja e të sëmurëve tani është më e shkurtër se në fillim”.

Brataj tha se “fasha më në rrezik janë mosha e thyer, sidomos ata me patologji”. “Në vendet e mbyllura virusi bëhet më agresiv. Edhe vatrat e reja dalin kryesisht në fasoneri ose në biznese të mbyllura nuk dalin në ajër të pastër. Thyerja e distancimit fizik është rrezik. Maska në ambientet e mbyllura është e detyrueshme”, tha ai, duke theksuar se “dielli dhe deti ndikojnë në favor të qytetarëve”.

 

Fraksion.com