AktualitetKosovaTë fundit

Hotit i kërkohet që të raportojë në kuvend para takimit në SHBA

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të kërkojë nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, që të raportojë para deputetëve për çështjen e dialogut me Serbinë.

Madje, kjo sipas kryetares së kuvendit Vjosa Osmani, duhet të ndodhë para se Hoti të niset për në Shtetet e Bashkuara dhe se sipas saj, kryeministri duhet të debatojë dhe raportojë para deputetëve lidhur me qëndrimet që do t’i mbajë Republika e Kosovës.

“Me vendim unanim të anëtarëve prezentë të kryesisë, unë do t’i drejtohem kryeministrit të vendit, që ai t’i raportojë kuvendit para se ai të niset për Uashington, për takimin e datës 27 (qershor), duke pasur gjithnjë parasysh rëndësinë e çështjes së dialogut dhe duke pasur parasysh rolin mbikëqyrës që duhet ta luajë kuvendi dhe po ashtu detyrimin që e ka qeveria që t’i raportojë kuvendit për çështje të politikës së jashtme”, ka thënë Osmani pas mbledhjes së kryesisë.

Osmani ka thënë se data e këtij raportimi do të vendoset në ditët në vijim, por sipas saj, duhet të ndodhë para udhëtimit në Uashington.

Kryetarja e Kuvendit, Osmani ka treguar po ashtu se në mbledhjen e kryesisë është vendosur që të martën të mbahen dy seanca plenare, ku do të diskutohet edhe kërkesa për interpelancë për kryeministrin Hoti.

Ky i fundit ndërkaq, pritet të udhëtojë për në SHBA më 27 qershor, për të marr pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë takim, të thirrur nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, pritet të takohen përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim, Kosovën pritet që ta përfaqësojë kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti, Hashim Thaçi.

 

Fraksion.com