Acarohen sërish marrëdhëniet mes dy Koreve
Koreja e Verit hodhi në erë zyrën e përbashkët të ndërlidhjes midis dy Koreve dhe po kërcënon edhe me anulimin zyrtar të marrëveshjes së paqes mes dy vendeve. Kim Jong Un e quajti zyrën “plotësisht të padobishme”.
Mediat e Koresë së Jugut spekuluan se pas shkatërrimit të zyrës së përbashkët të ndërlidhjes midis dy Koreve në Kaesong, aty mund të vendosen trupa ushtarake. Zona e zyrës ndërlidhëse përdorej për qëllime ushtarake deri në vitin 2004. Më pas të dy vendet ngritën aty si shenjë afrimi një park të përbashkët industrial, i cili funksionoi deri në vitin 2016.
Vigjilencë në shkallë të lartë
Ushtarë të Koresë së Veriut së shpejti mund të vendosen në zonën e ashtuquajtur të çmilitarizuar në kufirin me Korenë e Jugut, e cila qe spastruar nga trupat ushtarake pas një marrëveshjeje midis dy vendeve në vitin 2018. Udhëheqja e ushtrisë tha se po shqyrtonte planet e qeverisë dhe të Partisë së Punës. “Ushtria jonë po e mbikëqyr nga afër situatën, në të cilën po përkeqësohen marrëdhëniet e brendshme koreane ,” u tha në njoftimin e ushtrisë .
Vigjilenca ushtarake do të rritet më tej, vija e përparme do të shndërrohet në një kala, thuhet në njoftim. Udhëheqja e Koresë së Veriut nuk dha detaje, se cilat zona brenda zonës së demilitarizuar do të preken posaçërisht. Ne jemi “plotësisht të gatshëm” për të ndërmarrë masa kundër jugut. Po ashtu në konsideratë po merret edhe një fushatë me fletë-volante.
Përkeqësim i dukshëm që nga viti 2018
Kohët e fundit tensionet midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut u ashpërsuan përsëri. Koreja e Veriut ndjehet sidomos e provokuar nga aksione me fletë-volante propagandistike nga Koreja e Jugut. Ndërkohë, Koreja e Veriut po kërcënon gjithashtu se do ta anulojë zyrtarisht marrëveshjen e paqes që Kim nënshkroi me Presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in në vitin 2018.
Fraksion.com