Trump, sot urdhri ekzekutiv për reformat në polici
Presidenti amerikan Donald Trump nënshkruan të martën një urdhër ekzekutiv për reformat në polici, qëllimi i të cilave, sipas një zyrtari të lartë, është “të investohet më shumë dhe të inkurajohen praktikat më të mira”.
Zyrtari tha se pjesa kryesore do të jetë krijimi i njësive të çertifikimit që do të trajnojë policët me teknikat e çtensionimit dhe standardet e përdorimit të forcës.
Urdhri ekzekutiv kërkon gjithashtu krijimin e një sistemi, në të cilin oficerët e policisë do të bashkëpunojnë me punonjësit socialë kur u shkojnë në ndihmë qytetarëve për ngjarje jo të dhunshme, sidomos në raste që lidhen me shëndetin mendor ose të varësisë nga droga.
Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar se Presidenti Trump nuk është dakord që t’i jepet fund asaj që njihet si doktrina e imunitetit me kushte për oficerët e policisë.
Edhe në Kongres po shqyrtohen reforma të gjera të sistemit policor. Komisioni i Senatit për Gjyqësorin zhvillon sot një seancë me dëshmi nga ana e zyrtarëve ligjzbatues dhe atyre të të drejtave civile.
Fraksion.com