Më shumë trupa amerikane në Poloni: “Jo në kurriz të Gjermanisë”
Polonia mund të përfitonte nga një tërheqje e pjesshme e trupave amerikane nga Gjermania – kjo ishte shpresa e shprehur nga kryeministri polak, kur u bë i njohur lajmi për tërheqjen e trupave. Tani Morawiecki u tërhoq.
“Polonia ka kohë që përpiqet të zgjerojë praninë ushtarake amerikane në territorin e saj, por nuk është qëllimi ynë ta arrijmë këtë qëllim me koston e zvogëlimit të kontigjentit amerikan në Gjermani”, tha Morawiecki për BNS, agjencinë baltike të lajmeve.
Sipas raporteve të mediave, Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron të tërheqë 9500 nga afro 34.500 ushtarët amerikanë nga Gjermania. Fillimisht nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë ose Pentagoni. Ndërkohë, megjithatë, qeveria federale është informuar për mendime të tilla. Sidoqoftë, sipas informacioneve nga Berlini, një vendim përfundimtar ende nuk është marrë.
Pasi u bënë të njohura këto plane, Morawiecki i tha një radiotelevizioni polak javën e kaluar se shpresonte që disa prej ushtarëve amerikanë të transferoheshin nga Gjermania në vendin e tij. Kjo do të forconte krahun lindor të NATO-s dhe do të ndihmonte për sigurinë e gjithë Evropës.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Czaputowicz tha në Vilnius të Lituanisë, pas takimit me homologët e tij baltikë, se mendimi i përbashkët është se prania e trupave amerikane në Evropë rrit potencialin parandalues dhe mbrojtës të NATO-s. “Kjo do të thotë që ne nuk besojmë se ky vendim për të zvogëluar numrin e trupave të vendosura në Gjermani do të kontribuojë në sigurinë tonë,” tha Czaputowicz.
Maas do të udhëtojë nesër në Varshavë për bisedime me Czaputowicz-in. Takimi shërben, ndër të tjera, për t’u përgatitur për Presidencën e Këshillit të BE, që fillon më 1 korrik./dw
Fraksion.com