AktualitetPolitikëTë fundit

“Do vij vetë në Shijak”; Rindërtimi, Rama: Shijakun e kemi në rrugë të mbarë

Në bashkinë e Shijakut ka nisur dhënia e granteve të rikonstruksionit dhe riparimit të banesave individuale, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u njohën sot me procesin e shpërndarjes së granteve në këtë bashki.

Rama siguroi se “qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët në nevojë për riparime të dëmeve të tërmetit”.

Ndërsa u informua nga kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana mbi ecurinë e procesit të shpërndarjes së granteve, kryeministri kërkoi që të bëhet kujdes në godinat kolektive lidhur me administrimin e granteve në mënyrë që të riparohen edhe ambientet e përbashkëta.

“Kam vetëm një merak lidhur me grantet që janë për familjet në godina të përbashkëta dhe meraku lidhet me faktin që riparimi i dëmeve në godinat e përbashkëta, aty ku është konstatuar se godina është e riparueshme, ka lidhje edhe me ambientet e përbashkëta. Ndaj duhet edhe një përgjegjshmëri e lartë nga ana e qytetarëve në mënyrë që ato fonde që janë të konsiderueshme relativisht në raport me të ardhurat e tyre në përgjithësi të mos devijojnë”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që të ketë një bashkëpunim mes qytetarëve edhe për sa i përket ambienteve të përbashkëta, sepse llogaria e përgjithshme është bërë për riparimin e gjithë godinës.

“Mbase është e udhës që komuniteti i banorëve të përzgjedhë 3 përfaqësues për të garantuar edhe transparencë. Pra, 3 përfaqësues nga komuniteti i banorëve dhe 1 nga bashkia për të ndjekur procesin, jo për të influencuar dhe imponuar asnjë gjë. Në këtë mënyrë edhe vetë banorët do të kenë sytë në proces dhe gjithë fondi i akorduar për familjet mund të shpenzohet edhe në funksion të hapësirave të përbashkëta dhe të gjithë të dalin të fituar nga kjo histori”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se modeli i krijuar në Shijak, falë meritës së kryebashkiakut Arbana që i ka qëndruar mbi kokë procesit, procedurave dhe çdo familje, na vlen shumë për shtrirjen e mëtejshme në të gjitha bashkitë e tjera.

Rama tha se “ashtu sikurse u lëvrua i gjithë fondi për të adresuar dëmet e riparueshme për bashkinë e Shijakut, është gati fondi për të gjitha bashkitë e tjera që po përfundojnë procedurat e tyre”.

Ai tha se “modeli i krijuar në Shijak është ndihmës, pasi kemi mundësi të ecim më shpejt sepse është rrugë e shtruar tani”.

“Rëndësi ka që të kemi garanci të plotë që të gjithë banorët kanë marrë atë që u takon. Është një punë e bërë me shumë kujdes dhe shumë pozitivitet në Shijak, kështu do e bëjmë kudo. Shijaku është avangard në këtë proces, shpresoj të gjithë të ndjekin shembullin e bashkisë së Shijakut që është kthyer në model të procesit të rindërtimit”, tha Rama.

Kryeministri tha se “realisht janë të gjithë të impresionuar nga mënyra si është ndërtuar procesi dhe transparenca”.

“Do vij vetë në Shijak edhe për ndërtimin e lagjes së parë. Shpresoj shumë që të jemi gati edhe për shtëpitë. Falë këmbënguljes së kryebashkiakut kam shumë besim se Shijakun e kemi në rrugë të mbarë dhe në 26 nëntor së bashku do të jemi aty për të futur nxënës në shkolla dhe familje në shtëpi. Për fat të keq jo të gjithë, si rezultat i pengesës me karantinën, por shumë prej tyre do t’i fusim në shtëpi dhe shkollë në 26 nëntor”, siguroi Rama.

 

Fraksion.com