AktualitetTë fundit

Vrasje dhe shitje e lëndëve narkotike; OFL pret përgjigje brenda 48 orësh nga shtetasit…

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur sot kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 3 shtetasve të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale.

Konkretisht, OFL i ka nisur kërkesë shtetasit M. S., banues në Kuçovë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.

Një tjetër kërkesë i është nisur edhe shtatsit K. J., banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Vrasje me paramendim për shkak të cilësive të veçanta”.

Po ashtu OFL kërkon vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë nga shtetasi Q. R., banues në Gjirokastër, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

 

Fraksion.com