Grenell: Më 27 qershor, Kosova dhe Serbia takohen në Shtëpinë e Bardhë
I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.
“Lajm i mirë. Sapo pranova angazhimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë për të pezulluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe anëtarësimet në mekanizmat ndërkombëtarë, me qëllim që të takohemi në Uashington DC, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të biseduar për dialogun.Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjnë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mirëpres këto diskutime”, ka shkruar Grenell në Twitter.
If either side is unsatisfied with the June 27 discussions then they will go back to the status quo after they leave Washington.
As we have consistently said, we must first make progress on growing the economies. This is the focus. I look forward to these discussions. (2/2) https://t.co/r5QLDuC1XI— Richard Grenell (@RichardGrenell) June 15, 2020
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti. Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë thanë për REL që përbërja e delegacionit serb ende nuk është precizuar.
Presidenti Thaçi ka mirëpritur iniciativën e SHBA-së për rikthimin e dialogut.
“Udhëheqësia dhe mbështetja e SHBA-së ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen prosperuese të Kosovës. Prandaj, mirëpres iniciativën për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nën udhëheqësin Richard Grenell, të dërguarit të presidentit, Donald Trump”, tha Thaçi në një postim në Twitter.
U.S. leadership & support has always been decisive for the prosperous future of Kosova. Therefore, I welcome the invitation to resume the dialogue on normalization of relations under the leadership of President @realDonaldTrump’s SE @RichardGrenell.
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) June 15, 2020
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vazhdimi i dialogut është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që sipas tij duhet të çojë në njohje reciproke.
“Aktivitetet e koordinuara me partnerët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht me Qeverinë amerikane dhe Richard Grenell kanë prodhuar rezultatet e para, duke bërë që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve. Vazhdimi i dialogut është hap kyç për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjes reciproke”, tha Hoti përmes një postimi në Twitter.
Coordinated activities with our int partners, especially with @USAGov and @RichardGrenell has yielded the first results, prompting Serbia to halt its derecognition campaign. Continuation of the dialogue is a key step for the normalization of relations and mutual recognition! https://t.co/peqLiQVYo2
— Avdullah Hoti (@Avdullah) June 15, 2020
Lidhur me njoftimin e të emëruarit i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, për takimin e palëve në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje.
Në rrjetin social Facebook, kjo parti, lider i të cilës është Albin Kurti, ish-kryeministër i Kosovës, ka thënë se njoftimi i Grenellit ka bërë të qartë vendimin e qeverisë së vendit “që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në “nuk është e barabartë me Serbinë dhe se Kosova nuk do të angazhohet për subjektivitet ndërkombëtar. Ky është pozicioni me të cilin këta shkojnë në dialog me Serbinë. Ky vendim erdhi pak orë pas takimit Hoti-Thaçi”.
Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar që “asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial e funksional të Republikës së Kosovës nuk do të mund të implementohet” në Kosovë.
Më herët, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit, gjë që e kishte kundërshtuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Lajçak do “të sjellë data për rinisjen e dialogut”
Bashkimi Evropian nuk ka pranuar që të komentojë njoftimin se më 27 qershor, Kosova dhe Serbia do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për dialogun, Richard Grenell.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhival tha se të martën në Prishtinë pritet të arrijë përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili, do të diskutojë për modalitetet rreth rinisjes së bisedimeve si dhe do të sjellë data për rinisjen e këtij procesi.
“Ne nuk komentojmë aktivitetet e të tjerëve. I dërguari i posaçëm Lajçak do të arrijë në Prishtinë nesër (e martë), për të diskutuar rreth modaliteteve dhe ai do të sjellë data për rinisjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që ka sjellë rezultate reale për njerëzit e Kosovës, që prej se ka nisur”, tha për REL, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhival.
Lajçak ishte paraparë që të arrinte të hënën në Prishtinë, por fluturimi nga Zvicra drejt Shqipërisë – prej ku më pas do të vinte në Kosovë – është anuluar.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. SHBA-ja emëroi Grenellin si të dërguarin e saj për këtë dialog, tetorin e vitit të kaluar, me qëllim që të ndihmojë palët të arrijnë një marrëveshje paqeje.
Ndërkaq, afro tre muaj më herët, BE-ja ka emëruar Mirosllav Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë. Më pas kjo taksë u hoq dhe u vendos masa e reciprocitetit, por Serbia tha se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa heqjen e të gjitha pengesave.
Në fillim të muajit qershor, Qeveria e re e Kosovës shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe tha se pret që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, me qëllim që t’i jepet mundësi dialogut./rel
Fraksion.com