Protestuesit sërish drejt Uashingtonit për të tretën fundjavë me radhë
Protestuesit që kërkojnë t’i japin fund padrejtësisë racore pas vdekjes së një burri afrikano-amerikan ndërsa ishte ndaluar nga policia, do të dalin në rrugët e Uashingtonit për fundjavën e tretë me radhë.
Në Uashington, Departamenti i Policisë Metropolitane i Distriktit të Kolumbias tha të enjten se “demonstrime të shumta të Amendamentit të Parë” ishin caktuar për të shtunën dhe të dielën.
Zyrtarët thanë se nuk dinë sa protestues do të marrin pjesë, duke vërejtur se demonstratat nuk janë planifikuar nga një organizator kryesor.
Protestat që kërkuan drejtësi dhe reformim të sistemit shpërthyen në të gjithë Shtetet e Bashkuara pasi George Floyd vdiq në 25 maj kur oficeri i bardhë Derek Chauvin i vendosi gjurin në qafë për gati nëntë minuta, ndërsa Floyd përgjërohej se nuk mund të merrte frymë, një nga vdekjet e shumta kjo në vitet e fundit, gjatë takimeve me policinë ose pas tyre.
Demonstratat u përhapën shpejt në qytete të mëdha në të gjithë botën, përfshirë Londrën, Parisin dhe Sidnein.
Të shtunën e kaluar (6 qershor), mijëra njerëz protestuan në rrugët e Uashingtonit kundër brutalitetit të policisë, demonstrata më e madhe në kryeqytetin amerikan që nga vdekja e Floyd-it.
Zyrtarët thanë që shumë rrugë në qendër të Uashingtonit, përfshirë ato rreth Shtëpisë së Bardhë dhe Shëtitores Kombëtare, do të mbyllen me ndërprerje të shtunën dhe gjatë gjithë ditës së dielë.
Familja e Floyd-id dhe udhëheqësi amerikan i të drejtave civile, Pastori Al Sharpton thanë në një kërkesë për leje të paraqitur kohët e fundit pranë Shërbimit Kombëtar të Parqeve se ishin duke planifikuar një demonstrim të madh për reformimin e drejtësisë penale në Uashington në fund të gushtit në 57 vjetorin e Marshimit drejt Uashingtonit.
Marshimi historik drejt Uashingtonit për Punë dhe Liri ndodhi në 28 gusht 1963, duke tërhequr midis 200’000 dhe 300’000 njerëzve.
Marshimi prezantoi fjalimin e famshëm “Unë kam një ëndërr”, të Dr. Martin Luther King Jr në Memorialin e Linkolnit, gjatë të cilit ai tha: “Nuk do të ketë as pushim dhe as qetësi në Amerikë derisa afrikano-amerikanit t’i jepen të drejtat e tij të shtetësisë. Vorbullat e revoltës do të vazhdojnë të shkundin themelet e kombit tonë derisa të shfaqen ditët e ndritshme të drejtësisë”.
Fraksion.com