Protestat e maturantëve; MASR: Përgatituni për provimet e ardhshme; Problematikat e ngritura nga ju janë adresuar,
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me anë të zëvendësministres Nina Guga iu ka bërë thirrje maturantëve që të lënë pas shqetësimet e ditëve të fundit dhe të përgatiten për provimet e ardhshme.
Zv.ministrja Guga thotë se problematikat e ngritura janë adresuar në QSHA, duke shtuar se së shpejti do të ketë analizë nga grup ekspertësh dhe njoftim publik për gjetjet.
Njoftimi i dhënë nga zëvendësministrja e Arsimit Nina Guga:
“Si një ish-drejtore gjimnazi që kam qenë shumë afër jush dhe kemi ndarë e zgjidhur bashkë situata të ndryshme dhe sot në cilësinë e zëvendësministres, ju siguroj se problematikat që ju keni sjellë në lidhje me testin janë adresuar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila do të analizojë në grup ekspertësh dhe do të bëjë njoftim publik për gjetjet”, shprehet Znj. Guga.
Për sa i përket “cut-off”-it, Zëvendësministrja Guga nënvizon se ai nuk negociohet me nxënësit, por ka metoda që e përcaktojnë atë, duke shtuar se:
“Nëse testi rezulton të ketë qenë kaq i vështirë sa shumë nxënës nuk kanë arritur ta realizojnë, ky cut-off do të lëvizë për të gjithë. Por, siç ju ka shpjeguar Qendra e Shërbimeve Arsimore, kjo bëhet në fund, kur analizohen rezultatet”.
Në lidhje me provimin e radhës, matematikën, Guga cilëson se ai do të zgjasë 2 orë e 30 minuta, edhe pse koha e nevojshme është më pak se 2 orë.
“Korrigjimi i testit në mënyrë digjitale është nje korrigjim jo-subjektiv dhe transparent që shmang çfarëdo gabimi të mundshëm dhe jep një rezultat më të shpejtë në kohë”, tha ndër të tjera Zëvendësministrja.
Në fund të video-mesazhit, Znj. Guga u bën thirrje dashamirëse të gjithë maturantëve që të shfrytëzojnë kohën për t’u përgatitur për provimet e radhës dhe të çlirohen nga shqetësimet e këtyre ditëve.
Fraksion.com