Policia: 498 850 euro të fshehura në kamion; Pranga shoferit në Durrës
Policia e Durrësit ka dhënë informacione zyrtare në lidhje me sekuestrimin e një sasie të madhe parash sot në portin e qytetit bregdetar.
Policia bën të ditur se vlera e sekuestruar është gjithsej 498.850 euro të padeklaruara, lekë të cilat janë gjendur në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios dhe pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella.
Sasia e valutës së huaj është futur në vend pa u deklaruar në doganë nga shoferi i kamionit, banues në Tiranë i cili është ndaluar për mosdeklarim të vlerave monetare në pikën e kalimit kufitar.
Mësohet se shoferi që drejtonte kamionin është Andon Thanasi, i cili është vënë nën pranga nga organet policore për për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Njoftimi zyrtar i policisë:
Port, Durrës
Kontrolle të shtuara, si në dalje, ashtu dhe në hyrje, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë.
Bashkëpunimi i shkëlqyer i strukturave doganore dhe policore çoi në evidentimin dhe sekuestrimin e një sasie të madhe valute në euro, gjithsej 498.850
Vihet në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte shumën e eurove.
Si rezultat i shtimit të kontrolleve, në hyrje të RSH-së, në vijën e dytë, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga strukturat doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, u ndalua mjeti kamion tip “Renault”, me drejtues A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë.
Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara.
Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës.
Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në DVP Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa pakot e mbushura me euro u sekuestruan dhe në përfundim të numërimit nga grupi hetimor dhe i filmuar me kamera i gjithë procesi i numërimit rezultoi se në to kishte 498.850 euro.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, ato doganore dhe specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Fraksion.com