AktualitetTë fundit

Shtyhet edhe 1 javë hapja e transportit publik, shkak rastet e reja me koronavirus

Shtyhet edhe me të paktën një javë hapja e transportit publik. Mira Rakacolli, Kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, tha se kjo vjen si masë parandaluese për përhapjen e koronavirusit, pasi ditët e fundit është vënë re një rritje e numrit të të prekurve.

“Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.

Gjithsësi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situtën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.

Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike”, ka thënë Rakacolli.

Ajo bën thirrje për zbatimin e rregullave të vendosura nga autoritetet.

“Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri- tjerin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut.

Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intesivisht nëpërmjët inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma me shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi sin ë fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses”, përfundoi znj. Rakacolli.

Fraksion.com