AktualitetTë fundit

Qëllohet me vezë Ministria e Arsimit; Maturantët në protestë për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë

Janë gjuajtur me vezë muret dhe xhamat e Ministrisë së Arsimit, teksa maturantët gjenden në një protestë përpara godinës së saj që prej orës 11:00; një protestë kjo e nxitur prej provimit të djeshëm, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Me pankarta në duar, djem dhe vajza dëgjohen të brohorasin “Ministria e Turpit”. Në postime të shumta që qarkulluan përgjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale, maturantët shprehën pakënaqësitë e tyre rreth tezës së formuluar, të cilën e cilësuan të vështirë dhe me pyetje abstrakte apo që gjendeshin jashtë programit.

Në protestë, maturantët kërkojnë mundësi për rivlerësimin e provimit, uljen e katofit (skemës së pikëve) të vlerësimit dhe mosvlerësim të pyetjeve jashtë programit.

Ndërkohë maturantët kanë inicuar firmosjen e një peticioni ndaj Ministrisë së Arsimit. Ata thonë se teza e gjuhë letërsisë ishte hartuar një një mënyrë jo të qartë dhe të saktë.

Peticioni i firmosur prejt tyre parashtron 5 pika drejtuar ministres së Arsimit Besa Shahini. Një pjesë e tyre u shprehën se në rast se nuk plotësohen kërkesat e parashtruara maturantët do të shohin mundësinë e bojkotit të provimeve të radhës së maturës shtetërore.

 

Fraksion.com